Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka nisur një ofensivë diplomatike ndërkombëtare për çështjen e Kosovës. Ai do të takohet në vjeshtë me krerë shtetesh si Trump, Putin, Macron dhe Jinping.
Në vjeshtën e këtij viti mund të ketë zhvillime të mëdha për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Kështu shkruajnë mediat serbe duke aluduar në atë se gjatë vjeshtës presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të takohet me liderët botërorë për të parë pikëpamjet e tyre për Kosovën.
Vecernje Novosti thekson se Vuçiç, do të udhëtojë gjatë vjeshtës për në Paris, ku do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin amerikan, Donald Trump, i cili do të gjendet në Francë me 11 Nëntor për të shënuar 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
“Vuçiç do të përdorë këtë mundësi për të shkëmbyer pikëpamjet për Kosovën me disa nga liderët më të lartë të botës dhe do të përpiqet të marrë mbështetjen e tyre për një zgjidhje kompromis për Kosovën”, shkruan Novosti.
Takimet në Paris përbëjnë kulimin e një ofensive diplomatike që ka filluar Vuçiç për çështjen e Kosovës. Ai paraprakisht do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili do ta vizitojë Serbinë për të qenë pjesëmarrës në një paradë ushtarake që do të organizohet në Beograd.
Gjithashtu, në seancën e asamblesë së përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Neë York, Vuçiç pritet të ketë takim me presidentin kinez Xi Jinping./abcnews.al