Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka ngritur alarmin për shërbimet sekrete, pasi deklaroi se është përgjuar prej më shumë se një viti. Kreu i shtetit serb tha për “Kurir“ se e dinte kush qëndron pas, ndërsa theksoi se ka edhe bisedat.
“Unë kam prova se jam përgjuar. Unë kam bisedat e mia të regjistruara, sepse disa njerëz menduan se mund t’i fshijnë, t’i fshehin. Por mos harroni se ka një numër të madh njerëzish që duan ta bëjnë punën e tyre me ndershmëri dhe profesionalizëm dhe nuk do të pajtohen me gjëra të tilla.
Kështu që unë besoj se autoritetet kompetente do ta hetojnë atë dhe se, nëse ka pasur një shkelje të qartë të ligjit, ata që shkelën ligjin do të mbajnë përgjegjësi” deklaroi Vuçiç.
Kur u pyet nëse ai e dinte kush po e përgjonte, apo me urdhër të kujt, Presidenti i Serbisë tha “Unë nuk i di direkt emrat e njerëzve që më përgjuan. Por, po, mendoj se e di kush qëndron pas saj. E kuptoj si duhet dhe gjithçka është e qartë për mua”.
Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin deklaroi sot se shërbimet janë duke punuar në hetimin e kësaj çështje. “Vuçiç nuk e tha për politikë, por sepse është e vërtetë. Presidenti tha të vërtetën dhe na takon ne ta konfirmojmë atë të vërtetë” tha Vulin./ db/Abcnews.al