Vuçiç: Kosova, foshnja mistrece e Perëndimit

schedule22:46 - 22 Shkurt, 2019

schedule 22:46 - 22 Shkurt, 2019

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka cilësuar ushtrinë e Kosovës një armë të rrezikshme, që ndodhet në duart e një shteti që sipas tij nuk është më një foshnjë e Perëndimit, por një mistrec që mund të bëjë marrëzira.

Derisa bisedimet kanë ngecur, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka zgjedhur të vazhdojë me fushatën e “Ardhmja e Serbisë”, për të parë gjendjen brenda shtetit. Një pjesë e kanë konsideruar fushatë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, por përvec ekonomisë në qytetin kufitarë me Kosovën, Rashkë, ai u ka bërë thirrje serbëve të mos i bashkohen assesi ushtrisë së Kosovës.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “I kam lutur të gjithë serbët që të mos shkojnë në ushtrinë e Kosovës, ta mendojnë se cilat janë nevojat e kësaj ushtrie dhe qëllimet e atyre që e kanë themeluar. Ne edhe ashtu jemi pak dhe na mungon vetëm të kemi edhe një konflikt serbo-serb”. 

Ai ka thënë se ushtria e Kosovës po bën fushatë për rekrutimin e serbëve në pjesët jugore. Serbia kundër kësaj është shprehur edhe me ndalimin në kufi të disa pjesëtarëve serb të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Vucic megjithatë ka thënë se shpreson që do të gjendet një zgjidhje për Kosovën, por serbët duhet të kenë durim.

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë: “Fuqitë e mëdha të Perëndimit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo është foshnja e tyre me të cilën ata luajnë. Tani nuk është më foshnje, por një mistrec i përkëdhelur që mund të bëj marrëzira, por ende është foshnja e tyre dhe ata do ta mbrojnë dhe akuzojnë Serbinë sa herë të kenë mundësi. Por, ne duhet të jemi të përgjegjshëm”.

Vuçiç ka takuar edhe krerët serbë të Kosovës me të cilët ka folur për gjendjen pas taksës duke u premtuar se do të lobojç dhe se Serbia nuk do ti lë vetëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!