Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ishin të pakënaqura me veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke iu referuar së fundmi situatës në lidhje me ndalimin e përdorimit të dinarit serb.
Vuçiç u shpreh se qëllimi kryesor dhe përfundimtar i Kurtit, është dëbimi i të gjithë serbëve nga Kosova, shkruan Euronews Serbia.
“Pa dyshim, të paktën 13 nga 15 shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së vunë re se vendimet e njëanshme të Kurtit, veçanërisht në lidhje me çështjen e monedhës serbe, nuk ishin të mirëseardhura, nuk ishin të mira dhe nuk kontribuonin për paqen dhe stabilitetin në Rajon”, theksoi ai.
Duke iu referuar faktit se në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kurti akuzoi Serbinë se po transporton thasë me para në veri të Republikës së Kosovës për financimin e aktiviteteve të ndryshme kriminale, Vuçiç tha: “Ne kemi thënë në atë kohë se është bërë nga një kompani britanike e autorizuar dhe e specializuar, dhe njerëzit u mahnitën kur e dëgjuan. Ata nuk mund ta besonin herën e parë që përmenda emrin e kompanisë, që ishte Henderson. Ata e dinin që po thoja të vërtetën. Dhe e patë Kurtin e mbylli gojën pas atë dhe nuk e përmendi më pas”./abcnews.al