Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të mërkurën se Beogradi kishte pritur hapa të mëdhenj përpara nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, por se deri një ndikim i tillë nuk është ndier.
“Kur flasim edhe për tarifat, kur flasim për sanksionet ndaj NIS-it, asgjë nga këto nuk ka qenë në dobi të interesave të Serbisë. Njëkohësisht, kur u përballëm me çaste të vështira, nuk e morëm atë mbështetje as nga fuqitë e tjera të mëdha, as nga Lindja, as nga BE-ja”, tha Vuçiç në hapjen e Konferencës së Ambasadorëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione në tetor ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), kompanisë kryesore të naftës dhe gazit në Serbi, për shkak të pronësisë ruse.
Nga ana tjetër, Rusia nuk ka treguar gatishmëri për t’i shitur aksionet e saj shumicë në NIS, në mënyrë që ta bëjë të mundur heqjen e sanksioneve dhe ta ndihmojë Serbinë ta shmangë një krizë gazi.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha ditë më parë se Moska “ka ide” se si NIS-i mund të dalë nga kriza, por nuk dha hollësi.
Sa i përket tarifave amerikane mbi produktet e huaja, të cilat Trumpi i vendosi në prill të vitit 2025, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor më e goditura është Serbia.
Tarifat doganore të SHBA-së për Serbinë që nga ajo kohë janë 37 për qind, ose dy për qind më të larta se tarifat e reja doganore të vendosura për produktet nga Bosnja.

