Vuçiç: Jo marrëveshje me Kosovën, KE: Rikthim në luftrat e viteve ‘90

schedule23:04 - 21 Shkurt, 2019

schedule 23:04 - 21 Shkurt, 2019

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç shpreh bindjen se nuk mund të ketë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën. Sipas tij çfarëdo dakordësie që do të arrihet me Prishtinën nuk do të mbështetet nga shumica e serbëve.

Optimizmi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovës është zbehur. Në një intervistë televizive, kreu i shtetit serb thotë se çështja e Kosovës nuk do të zgjidhet pavarësisht se vetë është i angazhuar për t’a arritur këtë.

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë: Nuk kemi mbështetje për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Çdo zgjidhje që do të na ofrohet nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme dhe për këtë arsye nuk do të marrë mbështetjen e shumicës në Serbi.

Mungesa e një marrëveshjeje me Kosovën bllokon perspektivën europiane të të dy vendeve. Për kreun e Komisionit Europian, mungesa e perspektivës drejt unionit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të thotë rikthim në luftrat e viteve ’90.

Jean Claude Juncker, President i Komisionit Europian: Vendeve të Ballkanit Perëdnimor duhet t’u japim patjetër një perspektivë të qartë. Nëse ato nuk bëhen anëtare të Bashkimit Europian rrezikojnë të rikthehen në konfliktet e viteve ’90. Mendoj që kjo është një çështje mes luftës dhe paqes.

Në koferendën e përbashkët për shtyp në Bruksel me Borut Pahorin presidentin e Sllovenisë, Juker ishte në të njejtën linjë me kreun e shtetit të Kosovës Hashim Thaçi i cili të mërkurën paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti, Ballkani rrezikon të përfshihet në një konflikt të ri. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!