Vuçiç i shqetësuar për bashkëpunimin, MPJ e Greqisë: S’e njohim Kosovën, ky pozicion mbetet i pandryshueshëm

schedule14:27 - 1 Qershor, 2021

schedule 14:27 - 1 Qershor, 2021

Thellimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe tregtisë në mes të Kosovës dhe Greqisë dhe vizita që kryediplomati grek, Nikos Dendias, pritet të realizojë në Prishtinë gjatë këtij muaji kanë shqetësuar Beogradin dhe shefin e shtetit serb, Aleksander Vuçiç, meqë lëvizje të tilla i shohin si hapa drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë pavarësisht gjithë bashkëpunimit në mes të Prishtinës dhe Athinës, pozicioni i Greqisë për pavarësinë e Kosovës mbetet i pandryshueshëm. Kështu i është thënë Gazetës Express përmes një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë.

“Siç e dini, Greqia nuk e njeh Kosovën dhe pozicioni i saj mbetet i pandryshueshëm”, shprehen nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë.

Por pavarësisht kësaj, thonë se qëndrimi i Greqisë karshi Kosovës ka qenë konstruktiv, duke përmendur bashkëpunimet e deritashme në fushën e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen e Kosovës në fusha të ndryshme.

“Njëkohësisht, është po aq e ditur se Greqia ka ndjekur një qasje konstruktive ndaj Prishtinës, duke qenë vend pritës i një “Zyre të Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike të Kosovës në Athinë” që nga viti 2019 dhe punon me Kosovën për shtimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Në këtë frymë, me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit tonë dypalësh dhe lehtësimit të funksionimit të Zyrës, pa i përfshirë aspektet e lidhura me statusin, kjo zyrë është riemërtuar “Zyra e Interesave të Kosovës në Athinë”. Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Dendias, bëri një vizitë në Prishtinë tetorin e kaluar, duke i dhënë shtytje bashkëpunimit dypalësh, duke e vënë theksin në fushën ekonomike, përfshirë tregtinë dhe energjinë”, thuhet në përgjigje.

“Me qëllim të shtimit të mëtejmë të bashkëpunimit, ishin vendosur pikat e kontaktit, më saktësisht zëvendësministri Fragoyannis dhe homologu i tij në atë kohë, zëvendësministri Brajshori, të cilët zhvilluan një telekonferencë. Si hap vijues, Forumi i Katërt Biznesor Greqi – Kosovë u mbajt më 20 prill në mënyrë virtuale për shkak të krizës shëndetësore”, theksohet më tutje.

Po ashtu, MPJ e Greqis përmend edhe vizitën që kryediplomati grek Dendias pritet të realizojë gjatë këtij muaji në Kosovë, duke sqaruar se ndërlidhet me krijimin e institucioneve të reja në Prishtinë.

“Siç e dini, ministri Dendias do ta vizitojë Kosovën në fillim të qershorit, pas formimit të qeverisë së re.”

Gjithashtu nga Athina thonë se përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën dhe përmendin faktin që në kuadër të KFOR-it në Kosovë ka edhe ushtarë grek.

“Me këtë rast, dëshiroj të rikujtoj që Greqia është duke e përkrahur Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në këtë kontekst është gjithashtu duke e përkrahur liberalizimin e vizave. Greqia është gjithashtu duke kontribuar me një numër të konsiderueshëm të Forcave Helene në KFOR.”

Përveç tjerash, në përgjigje përmendet edhe përkrahja për Kosovën në rrugën e integrimit evropian dhe se mbështetjen për dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Si anëtare e vjetër e BE-së (1981) dhe e NATO-s (1952), Greqia e ushtron konsolidimin e paqes, demokracisë dhe stabilibitetit, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik si dhe sundimit të ligjit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes krijimit të raporteve të fqinjësisë së mirë dhe respektimit të parimeve themelore të ligjit ndërkombëtar. Në këtë sfond, Greqia ka qenë përkrahëse e fuqishme e perspektivës evropiane për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Prishtinën, si dhe përkrahëse e dialogut Beograd – Prishtinë, të lehtësuar nga BE-ja.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!