Një ditë pas deklaratës së kancelares gjermane Angela Merkel, sipas së cilës nuk do të ketë asnjë ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor ka reaguar dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit u shpreh se Gjermania ka ndryshuar kufijtë e Serbisë që në momentin që njohu pavarësinë e Kosovës.
Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, reagoi ndaj deklaratës së kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila tha se nuk mund të ndryshohen kufijtë në Ballkan. Vuçiç tha se tashmë dihet qëndrimi i Perëndimit pro pavarësisë së Kosovës dhe territorit të saj. Kreu i shetit serb theksoi se ata që e shohin më gjerësisht deklaratën e Merkelit duhet ta dinë se për Merkelin dhe për të gjithë botën Perëndimore, me përjashtime të vogla, Kosova është një shtet sovran, me territor të paprekshëm.
Madje ai këmbënguli se Kufijtë e Serbisë janë ndryshuar që kur Kosova është ndarë duke shpallur pavarësinë. Më tej, Vuçiç bëri apel që ushtria në vend të forcohej për të mbrojtur pavarësinë territoriale të Serbisë. Ai tha se të gjithë ata që janë pjesë e ushtrisë duhet ta ndjejnë dhe të jenë të vetëdijshëm për atë që bëjnë dhe për atë që u kërkohet për atdheun e tyre./abcnews.al