Pas një takimi në Beograd, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u pajtuan që formimi urgjent i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është me rëndësi prioritare, tha Presidenca e Serbisë.
Vuçiq ka shkruar në profilin e tij në Instagram më 3 mars se ka informuar ambasadorin Hill për rundin e fundit të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili u mbajt më 27 shkurt në Bruksel.
Veç formimit të Asociacionit, presidenti serb tha se “duhet shumë përpjekje, punë dhe diskutime për zgjidhjen e problemeve të akumuluara në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë”.
Ai tha gjithashtu se të premten ka biseduar edhe me ambasadorin britanik në Beograd, Shan McLeod, për hapat e mëtejshëm për të formuar sa më parë Asociacionin.
Takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Bruksel, 27 shkurt 2023.
Në takimin e së hënës, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pajtuan që për Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, palët nuk e nënshkruan këtë dokument, për të cilin një zyrtar i BE-së tha dje se duhet të nënshkruhet bashkë me aneksin ose planin e zbatimit.
Problemi kryesor për formimin e Asociacionit lidhet me kompetencat e tij.
Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e Asociacionit nuk janë në përputhje me 23 nene të Kushtetutës, që kryesisht kanë të bëjnë me barazinë para ligjit, të drejtat dhe liritë themelore dhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe pjesëtarëve të tyre.
Kurti, duke iu referuar këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ka përsëritur vazhdimisht se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion një etnik.
/rel