Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi sot se po bëjnë përpjekje për të arritur një kompromis me shqiptarët.
Vuçiç në një prononcim për mediat vendase ka komentuar fazën e tretë të dialogut me Kosovën dhe përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, konventë kjo që bashkon rreth 700 organizata të shoqërisë civile, ai tha se është kundër konfliktit të ngrirë.
Kreu i shtetit serb nënvizoi se “gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon”, duke sjellë në vëmendje konfliktin e fundit azero-armen.
“Unë jam kundër ruajtjes së konfliktit të ngrirë dhe ne po përpiqemi të bëjmë një kompromis me shqiptarët.Rasti i Armenisë dhe Azerbajxhanit na ka treguar se sa të rrezikshme janë të ashtuquajturat konflikte të ngrira. Sepse një ditë, gjithçka që është e ngrirë do të shkrihet nga dikush”, ka thënë Vuçiç.
Gjithashtu presidenti serb ka vlerësuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj ripërtëritjes së konfliktit në Nago-Karabak ishte i vakët dhe se kjo mund të shërbente si një mësim për Serbinë.
“Kjo na tregon shumë mirë që kohërat në botë kanë ndryshuar, se ka interesa të veçantë më të fortë në krahasim me interesa me të vogla grupore të cilat kanë ekzistuar më herët dhe se ne e dimë shumë mirë se duhet të jemi të gatshëm për të ruajtur vendin tonë në çdo kohë,” është shprehur ndër të tjera ai.
Presidenti i Serbisë tha se politika e saj e plotë e jashtme ka dy qëllime kryesore, e para është pozicionimi i vendit dhe ruajtja e stabilitetit politik dhe paqes në rajon, dhe e dyta është përparimi ekonomik i vendit.
Tema e këtij takimi ishte “Politika e Jashtme e Serbisë” dhe “Perspektivat e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit dhe rifillimi i dialogut për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
Ndërkohë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka deklaruar së fundmi se është e pamundur të arrihet te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pa “kompromise” nga të gjitha palët. e.su./abcnews.al