Vritet lideri i Al Kaedës për Azinë e jugut

schedule23:23 - 8 Tetor, 2019

schedule 23:23 - 8 Tetor, 2019

Trupat amerikano-afgane kanë eliminuar përmes një operacioni të përbashkët një lider të rëndësishëm të Al Kaedës. Terroristi strehohej në një bastion të talebanëve në provincën e Helmandit, gjë që ka vënë në dyshim angazhimin e guerrilasve në bisedimet e paqes me SHBA.

Një lider i lartë i Al Kaedës ka mbetur i vrarë në një operacion të përbashkët të forcave amerikane dhe atyre afgane. Lajmin e kanë bërë të ditur shërbimet e inteligjencës në Kabul, të cilat kanë saktësuar se operacioni është kryer muajin e kaluar, por vetëm tani ka qenë e mundur të konfirmohet rezultati i tij.

Asim Umar, drejtues i Al Kaedës në Azinë e Jugut mbeti i vrarë më 23 shtator në një banesë në provincën e Helmandit –saktësuan burimet pranë inteligjencës afgane, duke shtuar se në të njëjtin operacion humbën jetën edhe të paktën 40 civilë.

Operacioni i përbashkët amerikano-afgan u krye në rajonin Musa Kala, i njohur si bastion i talebanëve, ku Asim Umar dhe anëtarë të tjerë të Al Kaedës ishin strehuar. 6 bashkëpunëtorë të tij, përfshirë korrierin e mesazheve mes Umar dhe liderit numër 1 Ajman al Zauahiri, mbetën gjithashtu të vrarë.

Autoritetet afgane publikuan edhe foto të Umar, të gjallë dhe të vdekur, ndërkohë që detaje të tjera mbi operacionin dhe se çfarë u bë me trupat e civilëve të vrarë mbeten të paqarta.

Prania e një lideri të Al Kaedës në një bastion të talebanëve ngre dyshime mbi vullnetin e rebelëve për të prerë lidhjet me xhihadistët në kuadër të bisedimeve të paqes me Shtetet e Bashkuara./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!