Policia e Kosovës u përplas me autorët e grabitjes së një argjendarie në Suharekë, 8 ditë më parë, ndërsa ishte në një operacion për arrestimin e tyre.
Për pasojë mbeti i vrarë një ndër autorët dhe u plagos një polic , i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia në Kosovë thotë se efektivët e saj u sulmuan dhe në kushtet e vetëmbrojtjes vranë njërin prej autorëve të dyshuar në aksionin që u zhvillua në tri vendndodhje të ndryshme, në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë.
Gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar 4 të dyshuar mbi grabitjen ndërsa vëllai i personit që mbeti i vrarë këtë të enjte është në arrati.
Në grabitjen e 22 nëntorit në Suharekë, që u konsiderua si një skenë filmi, mbeti i plagosur një tjetër efektiv i policisë së Kosovës.
Deri më tani janë arrestuar 7 persona në total mbi këtë grabitje ndërsa janë plagosur dy policë.
Në pamjet e grabitjes në 22 nëntor shihet një person që mban një kallashnikov në dorë jashtë argjendarisë dhe kërcënonte çdokënd të mos ndërhynte teksa 3 personat po kryenin grabitjen./abcnews.al