Vrasja e një të mituri shqiptar nga Lipjani në Zvicër ka tronditur mbarë Kosovën. Lidhur me ngjarjen kanë reaguar edhe krerët e shtetit, ndërkohë që komuniteti shqiptar në Zvicër ka mbajtur një marshim në shenjë proteste, duke kërkuar drejtësi për 7-vjeçarin.
Vrasja e një fëmije 7-vjeçar nga Kosova në Zvicër ka tronditur mbarë opinionin publik në shtetin e vogël ballkanas. Vogëlushi me emrin Mërgim u vra 200 metra larg shkollës ku sapo kishte përfunduar mësimin nga një grua 75-vjeçare, e cila e sulmoi atë me armë të ftohtë. Pas vrasjes, autorja u vetëdorëzua në polici, ku pranoi krimin, motivet e të cilit mbeten megjithatë të paqarta.
Në vendin e ngjarjes banorë të qytetit të Bazelit vendosën buqeta me lule si homazh për të miturin. Kur shkuan atje, prindërit e 7-vjeçarit nuk mundën t’i mbanin lotët. E ëma e tij u shpreh se i kishin marrë lulen më të bukur të jetës. Ajo tha se nuk e njihte autoren e vrasjes dhe se nuk e dinte motivin përse ajo e kishte kryer këtë krim. Për herë të fundit nëna e kishte parë të birin para dy ditësh, pasi ndodhej e shtruar në spital.
“Ai erdhi dhe më vizitoi në shtrat dhe ishte shumë i lumtur”, tha ajo.
Ndërkohë, familja e të miturit ka vendosur se djali do të varroset në Lipjan, që është dhe vendlindja e tij. Të premten lidhur me ngjarjen kanë reaguar edhe krerët e shtetit të Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, presidenti Hashim Thaçi është shprehur se ngjarja e ndodhur në Bazel të Zvicrës i ka tronditur të gjithë në Kosovë.
“Në këto momente shumë të rënda ndaj dhimbjen me familjen e Mërgimit. E gjithë Kosova dhe Zvicra do të luten për të”, ka deklaruar Thaçi.
Sërish përmes rrjeteve sociale, edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen e 7-vjeçarit.
“Ndaj dhimbjen e madhe dhe i përcjell ngushëllimet më të thella familjes së Mërgimit. Mendimet dhe lutjet e mia janë me ju në këto çaste të rënda”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkohë, autoritetet zvicerane që po hetojnë ngjarjen kanë konstatuar se autorja e krimit vuan nga probleme mendore. Ndërsa komuniteti shqiptar në Bazel ka mbajtur një marshim në shenjë proteste ndaj vrasjes së 7-vjeçarit, duke kërkuar drejtësi për të./abcnews.al