Aldi Rama së bashku me dy shokët e tij Armando Marku që ishte shofer i automjetit tip Volkswagen dhe Kristian Sheri i cili ishte pasagjer në vendin e parë ishin nën efektin e lëndëve narkotike në momentin që u ndaluan nga policia.
Lajmin e bën të ditur gazetarja Xhensila Kodra në “Log” me Endri Xhafon në ABC. Siç tregoi edhe gazetarja duke cituar burime nga autoritetet e Lezhës, dy shokët e 21-vjeçarit dolën nga makina pasi policët u kërkuan mjetet e identifikimit, por Rama qëndronte në pjesën e pasme dhe ishte i vetmi i armatosur.
Ishte pikërisht ai që qëlloi në drejtim të oficerit të krimeve Saimir Hoxha duke i marrë edhe jetën. Dy djemtë, Armando dhe Kristiani, në polici kanë treguar pas ngjarjes së rëndë se kanë mbetur të traumatizuar nga ngjarja. Ata qëndruan dhe u treguan policëve edhe identitetin e autorit.
Kurse, 21-vjeçari pasi shkrepi armën, mori makinën u largua për disa metra e më pas u fsheh në lagunë.
Ndërkohë, gazetarja Ema Shazivari, duke raportuar nga spitali i Traumës në Tiranë, bëri të ditur se Aldi Rama vijon të ndodhet në gjendje kritike për jetën. Mjekët nuk mund të ndërhynë për t’i shpëtuar jetën pasi parametrat e tij jetike janë shumë të ulëta.
Për shkak të plumbit që ka marrë në kokë, pjesa më e madhe e trurit tashmë i ka dalë jashtë funksionit. Kujtojmë se Aldi Rama nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai ishte dënuar më parë për Prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe vjedhje.
21-vjecari nga qyteti i Lezhes ishte arrestuar ne 27 korrik 2018, pas kallëzimit te bere në policinë e Lezhës nga e dashura e tij për vjedhjen e një aparati celular. Gjithashtu ajo e akuzoi se ai e ka dhunuar dhe e ka detyruar të pijë hashash.
8 muaj më pas, në 18 mars 2019 Gjykata e Lezhës e dënoi me 5 vite burg për dy vepra penale: Prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe vjedhje. Para togave të zeza, i riu shprehu pendesë për krimin e kryer. Për këtë arsye, gjykata i pranoi gjykimin e shkurtuar, duke ia ulur dënimin me 1/3.
Përfundimisht ai u dënua me 3 vite e 4 muaj, dënim qe iu konvertua në shërbim prove. Rama është rritur nga gjyshi i tij, pasi prindërit i kishte të divorcuar. /abcnews.al/

