Vrau me skaf 7-vjeçaren, polici Arjan Tase mbërrin në Gjykatën e Vlorës

schedule10:10 - 5 Gusht, 2022

schedule 10:10 - 5 Gusht, 2022

Ish-shefi i Komisariatit të Himarës Arjan Tase, i cili duke dhënë shfaqje ne bregun e plazhit të Potamit vrau me skaf një vajzë 7-vjeçare,  pritet të dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Tase pritej të dilte para gjykatës mëngjesin e sotëm, por dhënia e masës së sigurisë për të është shtyrë në orën 11:15.

Prokuroria e Vlorës pritet të ashpërsojë akuzën që do të rëndojë ndaj Arjan Tases. Fillimisht AMP ngriti akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” gjë që mund të dënohet edhe me gjobë, ndërsa prokuroria pritet që mbi Tasen të ngrejë akuzën e “vrasjes me dashje”.

Ashpërsimi i akuzës së ngritur ndaj ish-shefit të policisë, vjen pas verifikimit të pamjeve filmike në vendngjarje dhe dëshmive të pushuesve. Grupi hetimor ka konkluduar se Arjan Tase ka patur mundësi për të parandaluar aksidentin fatal në një zonë të dedikuar për pushuesit.

Referuar kodit penal me akuzën që pritet të përballet në Gjykatën e Vlorës, ish-efektivi rrezikon dënimin nga 10 deri në 20 vite burg.

/abcnews.al/