Ngjarja e rëndë që tronditi Hollywood-in pak ditë më parë, ku Alec Baldwin vrau aksidentalisht një person dhe plagosi një tjetër në xhirimet e filmit Rust”, ka bërë që aktori të marrë një vendim drastik për sa i përket karrierës së tij. Drejtoresha e fotografisë Halyna Hutchins mbeti e vrarë ndërsa regjisori Joel Souza u plagos dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mediat e huaja shkruajnë se tashmë aktori ka anuluar projektet e reja pas tragjedisë në sheshxhirim. Burime për revistën People janë shprehur: “Kështu ai i trajton kohët e vështira. Sa herë që ndodh diçka e keqe, në një afat të shkurtër, ai largohet nga sytë e publikut. Ai ishte i pangushëllueshëm për orë të tëra pas të shtënave. Të gjithë e dinë se ky ishte një aksident, por ai është absolutisht i shkatërruar.”
Baldwin reagoi duke thënë se nuk kishte fjalë për të përshkruar ngjarjen e rëndë. “Nuk ka fjalë për të përcjellë tronditjen dhe hidhërimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, një gruaje, nëne dhe kolegeje të admiruar jashtëzakonisht.
Unë jam duke bashkëpunuar plotësisht me hetimin e policisë për të trajtuar se si ndodhi kjo tragjedi dhe jam në kontakt me bashkëshortin e saj, duke i ofruar mbështetjen time atij dhe familjes së tij. Zemrën e kam të thyer për burrin e saj, djalin e tyre dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Halyna-n.”, tha ai. /abcnews.al