Vrau gruan shtatzënë, autori ende në arrati

schedule08:26 - 2 Dhjetor, 2022

schedule 08:26 - 2 Dhjetor, 2022

Të mërkurën rreth orës 18:00 u vra një grua shtatzënë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë, ndërsa edhe pas 40 orëve i dyshuari, ish bashkëshorti i saj Sokol Halili është në arrati.

Policia e Kosovës deri tani ka gjetur veturën me të cilën ka lëvizur i dyshuari dhe pasi ka kryer hetimet, e ka kthyer veturën në oborrin e shtëpisë së Sokol Halilit, ndërkaq ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e të dyshuarit.

Familjarët e të ndjerës kanë treguar se viktima dhe dorasi kanë qenë të ndarë që pesë muaj. Motra e viktimës ka bërë të ditur se autoritetet kanë qenë të njoftuara për problemet e viktimës me ish-bashkëshortin.

Gjykata Themelore e Ferizajt përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35 vjeçares e cila u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së.

Në njoftim thuhet se kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ishte bërë me datë 08 shtator 2022.

“Të nderuar përfaqësues të mediave, lidhur me rastin që ka ndodhur mbrëmë me datë 30.11.2022, në oborrin e QKUK-së, ku i dyshuari S.H. dyshohet se ka privuar nga jeta tani të ndjerën gruan shtatzënë H.M, lidhur me këtë ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në bazë të dhënave nga Sistemi Informativ për Menaxhimin e Lëndëve SMIL, janë të evidentuar këto të dhëna. Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje”, thuhet në njoftim.

Më tej gjykata bënë të ditur se pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023.

“Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës.

Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”, thuhet në njoftim.

Gjykata thekson se më 10 gusht 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M.

“Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet. Gjykata në afatin prej 30 ditëve konform nenit 245, 249 dhe 250 të KPP-së, i ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij se mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Mbrojtësi i të pandehurit S.H. me datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata me datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”, thuhet në njoftim.

E Inspektorati Policor ka nisur hetimin për trajtimin e rastit nga policia të 35 vjeçares së vrarë.

Kështu është konfirmuar për KP nga IPK, derisa është bërë e ditur se është autorizuar një grup hetimor i veçantë nga dy departamente për të grumbulluar të dhënat.

“Ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga departamentet operative të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilat janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Më tej, thuhet se veprimet tjera do të ndërmerren bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së në koordinim edhe me institucionet tjera.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se ka kërkuar përfshirjen e IPK-së për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti.

E Shukrie Magashi, motra e 35-vjeçares që është vrarë të mërkurën mbrëma ka dhënë detaje të reja për raportet problematike të çiftit.

Magashi në RTV Dukagjini thotë se që në ditën e parë të martesës janë paraqitur shenjat e para.

“Ditën e parë pas martesës motra nuk është lajmëruar fare në telefon. Pasdite në është lajmëruar burri i saj i cili na ka dërguar vetëm një sms se “motra është mirë”, dhe ne mos të bëhemi merak”, rrëfen motra e viktimës.

Ajo thotë se motra është keqtrajtuar vazhdimisht, është lënë pa ngrënë e pa mirë dhe nuk është lejuar të takohet me familjen e saj.

“Tërë kohën motra ka qenë e kërcënuar e rrahur. Ajo është lënë pa ngrënë e pa pirë. Asnjëherë nuk e kanë lënë të bëhet bashkë me ne për ndonjë ndeje”.

Shukria thotë se ka folur me të motrën rreth orës 5 të ditës së djeshme dhe se gjendja e saj ka qenë mirë deri në atë orë.

Ajo thotë se nuk është vizituar nga institucionet lokale apo qendrore

Me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare” në Prishtinë të enjten u mbajt edhe protestë.

Qindra protestues në sheshin “Zahir Pajaziti”, kërkuan përgjegjësi institucionale për vrasjen e së mërkurës.

“Polici jeni bashkëfajtorë në vrasjen e grave”, “Edhe sa thirrje të humbura”, janë disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët po marshojnë drejt Prokurorisë së shtetit, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë, raporton Telegrafi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e gatshme të jap dorëheqje nëse vërtetohet se ka pasur përgjegjësi në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë në rastin e vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare në QKUK.

“Sa më përket mua, vetëm adresojeni se ku është përgjegjësia e drejtpërdrejt e ministres së Drejtësisë apo e tërthortë në këtë drejtim, dhe unë në jam në gjendje të jap dorëheqje”, tha ajo. /Telegrafi/