Autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit të bujtinave, Nard Polia, është ekstraduar drejt Shqipërisë. Uniformat blu kanë njoftuar se falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës dhe Kopenhagenit u bë i mundur arrestimi i 27-vjeçarit Kristian Sula dhe më pas ekstradimi i tij drejt vendit tonë.
Kristian Sula alias Kristian Martini akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje, në bashkëpunim”. I riu ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkodrës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” më 27 Mars të këtij viti, një javë pas vrasjes së pronarit të bujtinave, Nard Polia.
35- vjeçari Polia humbi jetën në 20 Mars. Ai u vra në kryqëzimin e fshatit Grudë ku u qëllua me 18 plumba. Polia sapo kishte dalë nga një servis makinash kur një person që udhëtonte me motor dhe skafandër në kokë i zuri pritë. Autori në një distancë të afërt me makinën e qëlloi me breshëri automatiku.
Bashkë me të udhëtonte edhe shoku i tij, punonjës i servisit ku kishte rregulluar makinën viktima. Ai shpëtoi pa lëndime. Kjo për policinë do të thoshte se vrasësi ishte profesionist.
Ky i fundit e dogji dhe më pas e braktisi motorin ngjyrë gri tek Ura e Mesit në Shkodër. Viktima, kishte në pronësi bujtinën “Polia” në zonën turistike të Thethit. Gjithashtu 35-vjeçari, ishte punonjës i administratës së Zonave të Mbrojtura në Parkun Kombëtar të Thethit.
Për ngjarjen Gjykata e Shkodrës la më 27 Mars me masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” vëllain e Kristian Sulës (Martini), Alfred Martinin, si dhe Gilbert e Kleandro Tomën, të cilët kanë mohuar akuzat për bashkëpunim dhe pjesëmarrje në vrasjen e Nard Polisë. /abcnews.al