Vrasje dhe zhdukje trupi, kush është i shumë kërkuari që strehonte Orges Bilbilin në Tiranë

schedule10:49 - 11 Prill, 2020

schedule 10:49 - 11 Prill, 2020

Orges Bilbili u arrestua ditën e djeshme për shkak të guximit të një efektivi të forcave “Shqiponja”, i cili fillimisht i kërkoi një dokument identifikimi dhe pasi u kërcënua me armë qëlloi duke e plagosur të shumë kërkuarin.

Gjatë ditës së djeshme dhe sot, policia ka kryer kontrolle për të verifikuar se si kishte mundur që të jetonte në Tiranë pa u pikasur Orges Bilbili.

Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ Orges Bilbili lëvizte lirshëm me dokument policie në Tiranë

Gazetarja Xhensila Kodra raporton për abcnews.al se Bilbili jetonte në një apartament me qira në rrugën “Sitki Çiço” në Tiranë sëbashku me një person tjetër rreth të tridhjetave, i cili është me precedentë të theksuar kriminalë.

Gjatë kontrollit në banesë është gjetur edhe pasaporta e këtij të fundit si edhe veshje, të cilat po verifikohet nëse janë përdorur ose jo në ndonjë vepër tjetër penale.

30 vjeçari me inicialet A.K është emër shumë i njohur për policinë për shkak se akuzohet për veprën penale “Krime kundër njerëzimit”.

Kjo vepër penale parashikohet në nenin 74 të Kodit Penal dhe parashikon vrasjen e më shumë se një personi, zhdukje trupi, etj, dhe dënohet me jo më pak se 15 vite burg.

Dyshohet se A.K ishte personi që strehonte Bilbilin duke e përdorur për qëllime të një organizate kriminale.

Personi në fjalë ka mundur të largohet nga banesa pasi mësoi se çfarë kishte ndodhur.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!