51-vjeçari Anton Keli, kushëri i Preng Gjinit, është vrarë pasditen e së martës në Rrëshen. Pasi e kanë qëlluar, Keli ka shkruar në drejtim të një marketi ku më pas ka humbur edhe ndjenjat.
Duke folur për mikrofonin e ABC, pronari i marketit ka treguar sesi 51-vjeçari shkoi në dyqanin e tij i plagosur me plumb dhe atë se çfarë ndodhi më pas. Ai thotë se po rrinte tek dera e dyqanit në momentin që Antoni afrohet duke nxituar, dhe i tregon që është i plagosur.
Më pas, Antoni ishte ulur në një stol dhe për disa momente humbi dhe ndjenjat. Pronari i marketit më pas ka njoftuar policinë. Kjo e fundit njoftoi edhe ambulancën dhe i plagosuri u dërgua në spital, ku nuk mundi të mbijetonte.
Lexo edhe: 51-vjeçari që u vra sot në Rrëshen kushëri i Preng Gjinit
Pronari i marketit thotë po ashtu se, përpara se Keli të shkonte tek ai, nuk ka dëgjuar as krisma dhe as makina që të kalojnë.
“Po rrija te dera e dyqanit kur erdhi Antoni, me shpejtësi duke ec. I thashë si je, mirë tha jam plagos. Ku je plagos i them unë? Jam plagos te makina. Erdh aty, hyri në dyqan, u ul në një stol dhe unë shkova për ta parë se ku është plagos. Në momentin që unë shkova për ta kap për ta kontrollu në trup. Ra pa ndjenja të tokë që aty e mbrapa nuk ka fol më. Njoftova policinë pastaj, erdhi policia, njoftoi ambulancën e çoi te spitali. Nuk kam dëgjuar as zhurmë as krisma, as makina, nuk ka pasur lëvizje fare. Nuk ka fol asnjë fjalë, vetëm jam plagos te makina.”
Anton Keli u qëllua me breshëri teksa dilte nga automjeti i tij. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 17:40, ka ndaluar makinën dhe ka dashur të hyjë këtë market. Ndërkohë, gazetari Gjergji Figuri raporton se dyshohet që autorët mund të kenë marrë më parë informacion dhe e prisnin viktimën në hyrje të Rrëshenit. s.b/abcnews.al/