Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Breshëri plumbash në Shkodër/ Dy të vdekur dhe dy të plagosur. Shenjestra anëtar i grupit Bajri

schedule09:42 - 8 Shtator, 2025

schedule 09:42 - 8 Shtator, 2025

Shkodra u trondit mëngjesin e së hënës nga një atentat mafioz që la dy të vrarë dhe dy të plagosur në ambientet e një lokali pranë bashkisë së qytetit.

Shënjestër e atentatit ishte Erogen Brajoviç, allias Vaso, i cili është anëtar i fisit të Bajrit, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri). Nga atentati mbeti e plagosur edhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Ndërkohë, viktimë mbeti Armando Pali, dhe Liridon Kraja, truproja e Erogen Brajoviç. Autori 29-vjeçar, Ragip Gila u vu në pranga.

Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur autori qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave.



Në momentin kur qëlloi drejt lokalit, i riu ka qenë me një motor të zi, ndërsa dyshohet se ka vepruar i vetëm. Pas breshërisë së plumbave, autori është larguar me motor, të cilin më pas e ka braktisur. Nën kërcënimin e armës, ka grabitur një mjet tip “BMË” ngjyrë gri dhe është larguar.

Ky është ndër të paktat raste, kur në atentate të tilla të mirëmenduara, autori bie në pranga në kohë rekord. Dhe kjo, pasi plani nuk i shkoi si duhet. Autori, me makinën e grabitur, u aksidentua në dalje të qytetit të Shkodrës në tentativë për t’i ikur policisë. Autori ka braktisur automjetin dhe ka tentuar që të ikë në këmbë drejt lumit Kir, por është kapur nga forcat Shqiponja.

Të riut iu sekuestrua edhe arma me të cilën kreu masakrën. 29-vjeçari sapo kishte dalë nga burgu, pasi në vitin 2023 ishte arrestuar me arsenal armësh.Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt. Përveç të vëllait, edhe emri i Erogenit ka dalë si i përfshirë në vepra kriminale.

Ndërkohë, viktima Armando Pali nuk njihet si person me precedent penal. Më herët ai ka qenë anëtar i këshillit Bashkiak bashkë me Erogen Brajoviçin. Pali ka pnuar edhe në IMT-në e Shkodrës më herët. Një grup hetimor është ngritur për të zbardhur masakrën që i mori jetën 2 personave dhe la të plagosur 2 të tjerë. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, por nuk përjashtohet pista e hakmarrjes duke marrë parasysh se Erogen Brajoviç është anëtar i fisit të Bajrave.

Ngjarja vjen pak ditë pas vrasjes së 34-vjeçarit Kristian Kola, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 4 shtatorit në një lokal në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!