Edhe pse kishte urdhër mbrojtje, një 38-vjeçare ne Paskuqan nuk mundi t’i shpëtojë vrasjes së paralajmëruar. Enkeleda Çapoku u qëllua për vdekje me mjete të forta nga kunati, që hyri me dhunë në banesën e saj. Konflikti mes tyre dyshohet të ketë nisur rreth 6 muaj më parë për arsye xhelozie. Autori i dyshuar i krimit makabër është arrestuar mesditën e sotme nga policia.
Eredet Çapoku ka qëlluar disa herë me një shkop bejzbolli gruan e vëllait të tij Enkeleda Çapoku. Krimi i rëndë dyshohet se ka si motiv kryesorë xhelozinë, pasi bashkëshorti i të ndjerës ndodhet pas hekurave i dënuar me 10 vite burg për trafik lëndësh narkotike.
“ABC News” ka mundur të sigurojë pamjet nga brenda banesës së viktimës, e cila jetonte bashkë me nënën e saj dhe vajzën.
Në banesën e viktimës ndodhej i vëllai i Enkeledës, Ervin Fjolla i cili ka ftuar kamerat brenda vendit të krimit për të parë nga afër atë që ka
ndodhur.
Ndërkohë në katin e parë të godinës 3 katëshe ndodhen pjesëtarët e tjerë të familjes së gruas të ndjerë.
Ata pohojnë për “ABC News” se, Enkeleda kishte urdhër mbrojtje dhe se autori duhet ti qëndronte larg 100 metra.
“Urdhrin e mbrojtjes e ka hapur para katër muajsh, ai e kërcënonte”, shprehet nëna e viktimës.
Në gjendje të rënduar nëna shton se Eredeti jo vetëm e ka goditur vajzën e saj por edhe i ka prerë damarët me thikë.
“Ti presësh damarët e duarve, e ta çash nga fytyra, si mund të mbijetojë njeriu”, tha nëna e viktimës.
Fqinjët shprehen se familja e viktimës ishin njerëz punëtor dhe nuk kishin probleme në komunitet.
“Ngeli gjithë jetën duke punuar në fabrikë, e ka prerë me copa”, shprehen të afërmit.
/abcnews.al
Kapet autori i vrasjes makabre në Paskuqan