Vrasja në Milot: Makina jo 100% e blinduar, hetimi peng i dëshmisë së Brahimit që ndodhet te Trauma

schedule15:45 - 25 Korrik, 2022

schedule 15:45 - 25 Korrik, 2022

Nga Xhensila Kodra 

Policia dhe Prokuroria e Kurbinit nuk kanë mundur të sigurojnë dëshminë e Ylli Brahimit, i cili mbeti i plagosur në atentatin e së premtes mbrëma në qendër të Milotit. Ai po merr trajtim në Spitalin e Traumës, dhe sipas burime nga bluzat e bardha, vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore, në Reanimacion.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije për ABC se 46 vjeçari është tentuar të merret në pyetje nga dy oficerë të krimeve të rënda, por për shkak të komplikacioneve, nuk ka qenë në gjendje të dëshmojë.

Për policinë, Brahimi ishte objektiv i atentatit, ku ai u plagos dhe mbeti i vrarë fqinji i tij, Klisman Preçi.

Grupi hetimor ka rindërtuar edhe një herë dinamikën se si ndodhi krimi, duke kërkuar për prova të reja në vendngjarje që mund t’i çojë ata drejti identifikimit të atentatorëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugicën pranë pallatit ku Brahimi dhe Preçi banonin. Autorët i pritën për 10 minuta në rrugicën përballë dhe sapo mjeti i blinduar i objektivëve të tyre mërriti, agresorët u afruan dhe qëlluan me breshëri plumbash. Drejtues i mjetit ishte 46 vjeçari Brahimi, ndërsa pasagjer viktima Preçi.

Atentatorët u afruan armët tek dritaret e mjetit dhe plumbat depërtuan pasi ishin blindëshpues. E gjithë skema e krimit ka ndodhur në rreth 3 minuta, ndërsa autorët pasi u larguan prej andej, makinën “Audi” autorët e dogjën në Gramëz të Krujës, bashkë me dy armë kallashnikovë brenda.

Në vendngjarje u sekuestruan më shumë se 100 gëzhoja, ndërsa në makinën e blinduar që lëvizte Brahimi dhe Preçi nuk u gjetën sende të jashtëligjshme.

Më herët ata u kanë shpëtuar atentateve, ndërsa kjo ngjarje dyshohet të ketë lidhje me atentatin e ndodhur në 17 korrik në Fushë-Krujë ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Dikler Vata, dhe Besmir Hoxha. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!