Vrasja në Lezhë, disa të shoqëruar/ Policia merr në pyetje dhe anëtarë të fisit Gjini

schedule11:08 - 2 Qershor, 2025

schedule 11:08 - 2 Qershor, 2025

Një ditë pas vrasjes së 57-vjeçarit Pjetër Kaza në Tale të Lezhës, ngjarja vijon të mbetet pa autor.

Përgjatë 24 orëve, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, familjarë të viktimës por edhe nga fisi Gjini, me të cilit janë në hasmëri.

Dëshmitë e tyre nuk e kanë ndihmuar grupin e hetimit, ndërkohë kamerat e sigurisë  së bizneseve dhe banesave në një perimetër të gjerë janë sekuestruar dhe po analizohen për të identifikuar lëvizjet e autorëve para dhe pas ngjarjes.

57-vjeçari u gjet i vrarë në orët e para të mëngjesit të së dielës në oborrin e banesës së tij në fshatin Tale të Lezhës. Viktima, Pjetër Kaza, është zbuluar pa shenja jete rreth orës 05:00 nga bashkëshortja.

Pjetër Kaza punonte në minierën e Spaçit dhe sipas të dhënave, është kthyer në banesë rreth orës 01:00 pas mesnate. Dyshohet se në këtë moment që është kthyer nga puna, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri me silenciator ndërsa ishte në automjet përpara banesës, pasi nuk është dëgjuar asnjë zhurmë gjatë natës.

57 vjeçari ka marrë plumba në kokë dhe kraharor, çka i kanë sjellë vdekjen e menjëhershme. Ndërsa nga të shtënat, automjeti nuk ka marrë asnjë dëmtim.

Viktima nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal. Sipas grupit hetimor, vrasja e 57 vjeçarit, dyshohet të lidhet me një zinxhir të gjatë hakmarrjesh, që zanafillën e ka në vitin 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!