Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilirjan Beqarajn, të akuzuar si një nga personat që ka marrë pjesë në vrasjen e Gentjan Bejtjes në mars të vitit të kaluar në fshatin Larushkë të Fushë Krujës.
Ndaj Beqarajt është ngritur akuza e vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe armë mbajtje pa leje. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Beqaraj ka ndihmuar autorët që qëlluan në drejtim të Gentjan Bejtjes duke I larguar ata nga vendi ku dogjën autmojetin me të cilën kryen edhe ekzekutimin. Sipas hetimeve Beqaraj ka ndihmuar atentatorët që pasi dogjën makinën me të cilën kryen vrasjen janë larguar me një automjet tjetër për të humbur gjurmët.
Gjithashtu organi i akuzës thotë se nga hetimet u provua se ky shtetas në kohë të ndryshme me mjetin e tij ka qenë në afërsi të banesës së viktimës. Përveç Beqarjat prokuroria ka idenntifikuar edhe një tjetër person si i përfshirë në ngjarje, bëhet fjalë për Flodian Plakun që është shpallur në kërkim.
Gentjan Bejtja mbeti i vrarë me 15 mars të vitit të kaluar, ndërsa hetuesit kanë dyshime se vrasja lidhet me përplasjet mes grupeve rivale kryesoisht në zonën e Krujës dhe Fushë Krujës.
Njoftimi
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin I.B. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të kryer në bashkëpunim, ‘Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve’ dhe ‘Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave’ parashikuar nga nenet78/1 e 23, 278/4 e 289/1 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 1944/2 të vitit 2024, për vrasjen e shtetasit G.B në fshatin Larush të Fushë Krujës, Prokuroria arriti të provojë se i pandehuri I.B. ka konsumuar veprën e mësipërme në rolin e ndihmësit.
Sipas prokurorisë ky shtetas me veprimet e tij aktive ka mundur të largojë autorët e vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen, kjo e dokumentuar edhe nga pamjet filmike të administruara nga prokuroria. Teksa u provua se ky shtetas në kohë të ndryshme me mjetin e tij ka qenë në afërsi të banesës së viktimës.
Nga hetimet rezultoi se në automjetin e përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegjes së automjetit me të cilin u krye vrasja, është përfituar profil gjenetik i shtetasve, I.B. dhe F.P. të cilët dyshohet se kanë pasur rol në vrasjen e shtetasit G.B.
Hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë.
/abcnews.al/