Vrasja në Ish-Bllok, gjykata liron nga qelia Ajaks Boshnjakun

schedule16:21 - 27 Nëntor, 2018

schedule 16:21 - 27 Nëntor, 2018

Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia Ajaks Boshnjakun, i dyshuar si një nga personat e përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit në ish-bllok, ku u vra Fabian Gaxha dhe u palagosën dy të tjerë. Ai do të hetohet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për Geldo Hotin, i arrestuar për ngjarjen, në përfundim të afatit të masës “arrest në burg” për të. 

Pa kaluar 48 orë nga vetëdorëzimi i tij në Drejtorinë e Policisë Tiranë, Ajaks Boshnjaku, ka fituar lirinë. Gjykata e Tiranës refuzoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës “arrest në burg” për Boshnjakun, i cili është proceduar në lidhje me ngjarjen e 4 tetorit në ish-bllok, ku u vra Fabian Gaxha e u plagosën Ervis Martinaj e Eljon Hato. Sipas gjykatës, Boshnjaku do të hetohet në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Ajaks Boshnjaku u shpall në kërkim pas analizimit të pamjeve filmike të sekuestruara pas ngjarjes, ku rezultonte se ai kishte qënë prezent në lokal gjatë ngjarjes. Ai u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e së dielës në shoqërinë e avokates së tij, Olta Myftaraj, ku edhe dha shpjegimet e para. Për oficerët e Policisë Gjyqësore ai sqaroi se kishte qenë prezent në lokal duke treguar dhe mënyrën se si ishin ulur personat e përfshirë me tej në konflikt. Ai ka treguar se ka parë Fabian Gaxhën t’i drejtohet me një fjalë fyese Mevjol Bilos dhe më tej t’i drejtonte një armës pistoletë në kokë, si edhe nisjen e një përleshjeje. Boshnjaku ka pranuar se ka dëgjuar një krismë, por pa kuptuar se kush u lëndua, pasi është larguar jashtë lokalit.

Nga ana tjetër, pak ditë më parë  Gjykata e Tiranës ka kthyer në liri edhe një tjetër të arrestuar për të njëjtën ngjarje. Në përfundim të afatit 45 ditor të masës “arrest në burg” dhënë në 10 tetor për Geldo Hotin, ndaj tij është caktuar masa e “detyrimit për paraqitje”. Pas ngjarjes, Hoti u dyshua si një nga personat që kishte përdorur armë zjarri në konflikt, por përfundimet e veprimet të tjera hetimore bindën gjykatën për zbutjen e masës së sigurisë.  Aktualisht për llogari të hetimit të ngjarjes së 4 tetorit ndodhen në qeli Ervis Martinaj dhe Eljon Hato, ndërsa janë shpallur në kërkim Ervin Mata, Merviol Bilo dhe Fabian Allushi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!