Partia Demokratike ka publikuar disa pamje qe tregojnë dy qëndrime të ndryshme të prokurorisë në lidhje më ato që u gjetën në makinën e ndaluar nga strukturat e PD për mbrojtjen e votës.
Në një deklaratë për mediat, Enkeled Alibeaj shprehet se çdo ditë dalin në pah prova dhe dëshmi të akteve, sipas tij, të Ramës, Doshit dhe “pushtetit për të vjedhur zgjedhjet.”
Në videon e publikuar, duket se prokurori para zgjedhjeve thotë se nuk kishte asnjë provë në makinat e ndaluara ndërsa pas zgjedhjeve, siç duket nga pamjet, prokurori deklaron të kundërtën.
Ai thotë se policia gjeti para dhe karta identiteti në makinë. Alibeaj thotë se kjo është vetëm maja e ajsbergut ndërsa shton se të tjera fakte e të dhëna do të publikohen në ditët në vijim.
DEKLARATA
Sot po luftojmë për demokracinë në vendin tonë.
Çdo ditë dalin në pah fakte, prova dhe dëshmi të akteve të Ramës –Doshit dhe bandave të pushtetit për të vjedhur zgjedhjet.
Në video që do të ndjekim tani, të gjithë do të shihni dhe dëgjoni se si prokurori para zgjedhjeve thotë se nuk kishte asnjë provë në makinat e bandave të Elbasanit. Ndërsa pas zgjedhjeve, prokurori deklaron të kundërtën. Ai thotë se policia gjeti para dhe karta identiteti në makinë.
Ja si po mbrohet masakra elektorale Rama-Doshi.
Kjo që shihni këtu është vetëm maja e ajsbergut.
Të gjithë shqiptarët janë të vetëdijshëm se se si kanë vepruar Rama-Doshi dhe bandit e pushtetit për të vjedhur dhe blerë rezultatet e zgjedhjeve. Të tjera fakte dhe të dhëna do të publikohen në ditët në vijim.
Një gjë është e sigurta. Ne do të luftojmë me gjithë fuqinë dhe besimin që qytetarët na dhanë në këto zgjedhje, në mënyrë që të rrëzojmë regjimin Rama-Doshi.