Vrasja në burgun e Peqinit/ Policia reagim zyrtar: Janë ndaluar 12 persona, mes tyre edhe drejtori

schedule12:16 - 16 Dhjetor, 2023

schedule 12:16 - 16 Dhjetor, 2023

PEQIN- Policia ka ndaluar 12 perona për ngjarjen e së premtes në burgun e Peqinit ku Sokol Mjacaj ekzekutoi me armë zjarri Arben Lleshi dhe plagosi Indrit Shaqjan.

Mes të ndaluarve është edhe kreu i Burgut të Peqinit, Kamber Hoxha dhe 11 të tjerë, ndërsa akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Autoritetet kanë sekuestruar armën e zjarri me të cilën  28-vjeçari Mjacaj kreu krimin pasditen e djeshme në ambiente e burgut. Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, Mjacaj është shprehur se arma është futur brenda nga punonjës të burgut.

Ai nuk ka dhënë emra konkretë, por ka shtuar se Lleshin e ka vrarë pasi kishte konflikte me të, për arsye se ky i fundit nuk e pranonte të qëndronte në sektorin e tij.

Njoftimi i Policisë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, në IEVP Peqin, ku shtetasi Sokol Mjaçaj vrau me armë zjarri, shtetasin Arben Lleshi, plagosi shtetasin Indrit Shaqja (të tre këta shtetas vuanin dënimin me burgim të përjetshëm në IEVP Peqin), i cili është aktualisht në kujdesin e mjekëve, si dhe kanosi me këtë armë, punonjësit e shërbimit në këtë IEVP, ju informojmë se:

Nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u ekzekutua urdhri i prokurorit, për kryerjen e arrestimit në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, të shtetasit Sokol Mjaçaj, 28 vjeç.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të shtetasve:

  1. Kamber Hoxha, drejtor i burgut Peqin
  2. Qani Muça, shefi i policisë së burgut
  3. Nikolin Gjonpalaj, ish shefi i policisë së burgut
  4. Vilson Shima, shef i regjimit të burgut
  5. Arben Dulellari, specialist informacioni
  6. Fatos Pire, polic shërbimi i IEVP Peqin
  7. Ilir Balla, polic shërbimi i IEVP Peqin
  8. Florenc Mile, polic shërbimi i IEVP Peqin
  9. Genci Muça, punonjës policie i IEVP Peqin
  10. Indrit Dubali, punonjës policie i IEVP Peqin
  11. Klement Haka, punonjës policie i IEVP Peqin
  12. Erjon Çela, punonjës policie i IEVP Peqin

Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, si dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, vijojnë hetime intensive për të individualizuar përgjegjësinë penale të shtetasve të ndaluar, si dhe për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht rrethanat e kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!