Indrit Shaqja është i dënuari në burgun e Peqinit, i cili u plagos këtë të premte nga i dënuari Sokol Mjacaj, teksa ky i fundit ekzekutoi Arben Lleshin në qeli.
Gazetari i ABC News, Ervin Leka raporton se Shaqja është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy grave në vitin 2004.
Dyshohet se Mjacaj ka qëlluar me një armë me mulli dhe se arma është futur brenda përmes kuzhinës.
“I plagosuri ishte Indrit Shaqja, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy grave në vitin 2004. Fillimisht u raportua se i plagosuri ishte Ilir Xhakja, por pas verifikimeve, është qartësuar se i plagosuri është Indrit Shaqja, i dënuar për vrasje të dyfishtë në vitin 2004. Autori është Sokol Mjacaj, i cili pas negociatave është neutralizuar dhe i është marrë arma. Për disa minuta, pasi ka kryer vrasjen, ka mbajtur peng edhe disa persona brenda burgut.
Në këtë momente, në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, situata është e qetë. Janë larguar prokurorët dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Janë dashur disa orë që të kryhen hetime. Kanë ardhur forcat RENEA nga Tirana për të bërë neutralizmin e Sokol Mjacajt. Pasi ka kryer ngjarjen, ai nuk i është dorëzuar forcave të burgut dhe ka ndërhyrë RENEA. Mbledhja e provave është bërë brenda burgut, teksa hetimet do të vijojnë, do të sekuestrohen kamerat. Ka aludime se arma mund të jetë futur përmes kuzhinës”, raporton gazetari Leka./abcnews.al