Gazetarja Etleva Delia ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e së premtes në burgun e Peqinit, ku mbeti i vrarë një i burgosur dhe u plagos një tjetër. Sipas raportimeve, arma me të cilën ka qëlluar autori Sokol Mjacaj është futur me dron brenda ambienteve të burgut.
Gazetarja hedh dyshime nëse ka pasur bllokues valësh për ngritjen e dronëve ose nëse ka pasur, mund të jetë fikur për të lejuar futjen e armës. Delia theksoi gjithashtu se ka dyshime që vendimi për të transferuar Mjacaj në 41 bis është marrë pasi ka pasur indicie për ndonjë krim të mundshëm.
“Duket diçka e organizuar. Të futet një pistoletë në burg nëpërmjet një droni. Duhet të dalë ministria e drejtësisë ose institucioni i burgut nëse ka pasur bllokues valësh për ngritjen e dronëve sepse nuk lejohet ngritja e tyre nëpërmjet aparaturave që bllokojnë valët. Ose është stakuar dhe lënë qëllimisht ose nuk është e vërtetë dhe pistoleta është futur në forma të tjera. Por që ngjarja ka qenë e organizuar dhe mund të jetë një urdhër nga jashtë është një bindje e krijuar. Është bërë në këtë formë nga fakti se do të lëvizte në 41 bis. Ka tentuar të përshpejtojë planin për të realizuar vrasjen“, tha gazetarja.
“Mendoj se vendimi për ta transferuar për në 41 bis ka pasur indice por jo prova. Kjo është një nga arsyet që bëhet transferimi i një të dënuari në 41 bis”, shtoi më tej Delia.
37 vjeçari Arben Lleshi që mbeti i vrarë po kryente dënimin në burgun e Peqinit për një vrasje të ndodhur në vitin 2012. Sipas gazetares, 37 vjeçari së bashku me të vëllanë kishin ekzekutuar një bashkëatdhetarin Agim Hoxha për prishje pazari droge në Angli. Pas dënimit në Angli, Lleshi u ekstradua në Shqipëri./abcnews.al