Vrasja e “Tarzanit”, vëllai i tij u arrestua në shtator për porositjen e 2 ekzekutimeve

schedule19:56 - 8 Tetor, 2020

schedule 19:56 - 8 Tetor, 2020

Erjon Alibej, vëllai i Endrit Alibej të ekzekutuar më 28 dhjetor 2018 pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit është arrestuar më 19 shtator të këtij viti. Sipas prokurorisë ai është porositësi dhe organizatori i vrasjes së dy personave në Korrik në Elbasan, Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Burimet thonë se ai është i dyshuar edhe për porositjen e vrasjes së vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela.

Erjon Alibej përdorte disa emra dhe mbiemrin e nënës për t’u fshehur nga drejtësia. Ai është vëllai i Endrit Alibejt që njihej si “Tarzani” që ishte shënjestra së bashku me xhaxhanë e tij, Arben Dylgjeri dhe turkun Erdal Durunay që u ekzekutuan në 28 dhjetor të 2018 në Elbasan.

Erion Alibej ka qenë i dënuar në Itali me 4.5 vite burg për trafik kokaine. Ai u arrestua në Torino në 2013 së bashku me vëllanë dhe disa anëtarë të tjerë të bandës, ndërkohë që pasi shleu dënimin u rikthye në vend.

Rreth 2 vite e gjysmë më parë u arrestua për një plagosje dhe tani ndodhej në arrest shtëpie. Por fakti se ishte nën akuzë dhe në arrest shtëpie nuk e pengoi që të porosiste tre vrasje. Erion Alibej është në skedat e policisë si person me rrezikshmëri, por nuk arritën që të parandalonin krimet.

Sipas policisë italiane të dy vëllezërit drejtonin një grup te trafikut të drogës nga Holanda drejt veriut të Italisë. Dy vëllezërit të konsideruar si koka e grupit u vendosën në përgjim në gusht të vitit 2011 pasi dyshoheshin për trafikim dhe shpërndarje droge në veri dhe në qendër të Italisë. Po sipas dosjes hetimore dy vëllezërit kishin kontakte të shumta si me furnizuesit e lëndës narkotike ashtu edhe me blerësit.

Përgjimet shkuan deri në Amsterdam ku Endrit Alibej shfaqej duke bërë pazare droge me një bashkatdhetarin shqiptar te identifikuar nga policia italiane me emrin Astrit. Në grupin që u godit në Itali në 2013 ka pasur shqiptarë, afrikanë dhe italianë, kokaina trafikohej nga Holanda në Itali./mv. abcnews.al