Këto janë pamjet e mjetit tip Audi A4 i cili u përdor në atentatin mafioz ndaj Klaudio Prendit. “ABC News” ka siguruar pamjet kur mjeti i është nënshtruar një ekspertize pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Burime nga grupi hetimor thonë se ka shpresë që nga ekspertiza të mund të ketë mbetur ndonjë gjurmë e cila mund të ndihmonte për zbardhjen e detajeve sa i takon hetimeve për autorët të cilët nuk kanë lënë pas asnjë gjurmë dhe nuk ka asnjë informacion nëse kanë qenë vrasës me pagesë apo persona që mund të kenë pasur konflikt të drejtpërdrejtë me viktimën.
Pistat ku po heton policia janë disa, së fundmi grupi hetimor thotë se nga deklaratat dhe zbërthime të disa telefonave rezulton se Klaudio Prendi ka pasur rreth 15 mijë euro borxh, shumë e cila mund të jetë rritur pasi dyshohet se është marrë me përqindje, në lidhje me këtë pistë ish-gjyqtari është shprehur se djali i ka rrëfyer përciptazi për një konflikt borxhi, por diçka e vogël dhe nuk i ka dhënë detaje as për shifrën dhe as për personat me të cilin e kishte këtë konflikt.
Pista tjetër është ajo e babait të viktimës, ish gjyqtari Fran Prendi i cili ka pasur disa nga çështjet e personave të inkriminuar dhe me peshë në botën e krimit, ai madje ka dhënë edhe disa dënime me burg të përjetshmen.
Edhe arma e zjarrit silenciator është gjetur në mjetin e djegur dhe është dërguar në laborator për ekspertizë.