EMRI/ Po kontrollonte terrenin për drogë, efektivi në Lezhë vritet me armë zjarri, reagon policia

schedule11:16 - 28 Shtator, 2021

schedule 11:16 - 28 Shtator, 2021

Saimir Hoxha, oficeri i krimeve në Ishull Lezhë, i vrarë me armë zjarri paraditen e sotme në zonën e Vainit në Lezhë është qëlluar gjatë një kontrolli në terren për parandalimin për kultivimin e lëndëve narkotike.

Policia njofton se 44-vjeçari është qëlluar me armë dhe fillimisht ka mbetur i plagosur dhe më pas ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Tashmë po punohet për kapjen e autorit.

Në vendin e ngjarjes në ndihmë të policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

“Rreth orës 10:30 ,në Ishull Lezhë ,në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit  për të bërë të mundur  zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!