Policia ka lokalizuar 21-vjeçarin Aldi Rama, autorin e dyshuar të vrasjes së efektivit të krimeve Saimir Hoxha 44-vjeç, nënkomisar në Policinë e Lezhës. Burime bëjnë me dije për ABC se dyshohet se Rama është i armatosur, ndaj dhe forcat e policisë janë pozicionuar nga një distancë jo shumë të afërt për të shmangur një incident të mundshëm.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e Vain në Lezhë, ku Hoxha bashkë me 4 efektivë të tjerë ndaluan automjetin ku Rama po udhëtonte si pasagjer më sediljen e pasme.
Ai qëlloi në drejtim të oficerit i cili në atë moment nuk ishte i pajisur me anti-plumb. Hoxha mbeti fillimisht i plagosur por vdiq rrugës për në spital pasi njëri nga plumbat i kishte kapur zemrën. Dy personat që po udhëtonin në makinë me autorin janë shoqëruar nga policia.
Saimir Hoxha ndodhej në krye të detyrës gjatë një operacioni për kontrollin e zonës pasi kishte informacione se në zonën e lagunës Kune-Vain kultivohej lëndë narkotike. Autori Aldi Rama kishte qenë i arrestuar për trafik droge. Në vitin 2019 ai ishte dënuar me 5 vite burg por ishte liruar, pasi dënimi i tij u konvertua në shërbim prove.
Policia e shtetit ka vënë në dispozicion 20 mijë euro shpërblim për çdo informacion që mund të çojë në kapjen e autorit të vrasjes së efektivit të policisë Saimir Hoxha, i identifikuar si Aldi Rama. m.v/abcnews.al