Vrasja e Marvi Mihalit, rrëfehen 4 dëshmitarë okularë

schedule19:36 - 19 Nëntor, 2018

schedule 19:36 - 19 Nëntor, 2018

Procesi gjyqësor ndaj 4 të akuzuar për vrasjen e 22 vjeçarit Marvi Mihali pas konfliktit për një karikues celulari vijoi të hënën me pyetjen e dëshmitarëve të Prokurorisë. Katër dëshmitarë okularë treguan para gjykatës detaje të ngjarjes tragjike, në dëshmi që patën edhe kontradikta mes tyre.

Katër të rinj, dëshmitarë okularë të vrasjes së 22 vjeçarit Marvi Mihali në gusht të vitit 2017 në Tiranë, u rrëfyen të hënën në Gjykatën e Tiranës në procesin ndaj të akuzuarve për vrasjen, Eugen e Dejvi Bitraj dhe Kridens e Marsel Alla. Dëshmitari Armend Haxhiu pranoi para trupit gjykues se ishte ai personi që i kishte kërkuar Marvi Mihalit ta shoqëronte deri tek stadiumi “Selman Stërmasi” për t’u sqaruar me Dejvi Bitrajn për një karikues celulari.

“I pata shitur një celular, por nuk i kisha dhënë karikuesin. U ndjeva i poshtëruara nga telefonata kur Dejvi më kërkoi karikuesin,-tha dëshmitari. Shkova me Marvin dhe 4 shokë, që të qetësonim gjakrat. Kur u afruam, Devi mërmëriti diçka dhe mu duk sikur më shau nga familja. E godita me grusht. Pastaj shumë persona aty na goditën”.

Dëshmitari tha se nuk kishte parë ç’kishte ndodhur me Marvin dhe se vdekjen e tij e kishte mësuar të nesërmen. Ai nuk shpjegoi dot faktin se përse duhet të shkonte i shoqëruar nga 5 persona për të dorëzuar një karikues celulari, ose vlerën e barasvlevshme të tij 500 lekë. Dëshmitari Xhoslin Shata, i afërm i Mihalit, tregoi se kishte parë Devi Bitrajn t’i qëllonte me thikë kushëririn.

“Devi Bitraj kishte një thikë flutur. Pashë gati 3-4 vetë me thika atë ditë. Marvin e goditën me shkelma ate ditë edhe pasi e goditën me thikë”, tha Shata.

Dëshmitari tha se nuk kishte pasur asnjë dijeni për sherrin që kishte Armend Haxhiu me personat që e prisnin tek stadiumi “Selman Stërmasi” dhe se ai dhe kushëriri i ndjerë Marvi Mihali nuk i njihnin personat e grupit kundështar nga të cilët ishin sulmuar. Në lidhje me vajtjen e tij në vendngjarje, dëshmitari tha se Armend Haxhiu i kishte kërkuar Marvit të shkonin. Ekzistencën e një personi të armatosur me thikë në ngjarje e konfirmoi para gjykatës edhe dëshmitari Xhulio Mema. “Ishte një person me bluzë të bardhë që tha ‘ju ther të gjithëve’ tregoi dëshmitari Mema.

Momente të ngjarjes u pohuan me tej nga dëshmitari Gynter Jaupi. Dëshmitarët patën kontradikta në theniet e tyre sa i përket vendit ku ishin takuar me njëri-tjetrin dhe faktit nëse kishin shkuar të gjitha bashkë në vendin e ngjarjes, apo të ndarë. Për këtë shkak, me iniciativë, gjykata bëri ballafaqimin e tyrë në sallë. Seanca u shoqërua me momente tensioni mes avokatëve dhe dëshmitarëve dhe prindërve të viktimës, të pranishëm në seancë si palë e dëmtuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!