Vrasja e Liridona Ademajt, drejtori i burgjeve në Kosovë: 4 të dyshuarit ndodhen në institucione të ndryshme

schedule12:15 - 23 Dhjetor, 2023

schedule 12:15 - 23 Dhjetor, 2023

Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Ismail Dibrani ka deklaruar se katër të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt po qëndrojnë në katër institucione të ndryshme. Ai mohon se të dyshuarit kanë pasur mundësi të komunikojnë me njëri-tjetrin gjatë qëndrimit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.

Në asnjë rrethanë, në asnjë moment, personat që janë të njëjtës vepër nuk vendosen në të njëjtën dhomë. Mund të vendosen në të njëjtin burg por natyrisht edhe rutinat edhe shëtitjet duhet të organizohen në mënyrë që ata mos të kenë kontakt njëri me tjetrin. Njëjtë, për shkak të situatës së rëndë dhe debatit që është zhvilluar pothuajse në të gjitha mediat në Kosovë, ne fillimisht i kemi vendosur sepse vepra e tyre ka qenë e rëndë dhe është dashur që ata të vendosën në Burgun e Sigurisë së Lartë. Si rezultat i kësaj ata vlerësohen me rrezikshmëri shumë të lartë deri në takimin e komisionit për kategorizim, komision i cili vendos për të ardhmen se si ata do të trajtohen. Por duke marrë parasysh debatin që është zhvilluar në opinion dhe rasti tashmë kishte marrë përmasat edhe jashtë Kosovës, ne është dashur në konsultim me Prokurorin e Shtetit që t’i shpërndajmë në institucione të ndryshme”, deklaron ai.

Edhe personi i katërt, i cili dyshohet që ka furnizuar me armën e krimit Naim Murselin dhe Granit Plavën, Dibrani thotë se është dërguar në burg tjetër.

“Në katër institucione të ndryshme, në Burgun e Sigurisë së Lartë, në Burgun e Prishtinës, në Qendrat e Paraburgimit në Gjilan dhe në Qendrën e Paraburgimit në Pejë”, janë vendosur katër të dyshuarit”, shtoi Dibrani.

Kujtojmë që Liridona Ademi u vra pak javë më parë teksa ndodhej në makinë me bashkëshortin, Naim Murseli dhe dy fëmijët e mitur. Policia zbardhi ngjarjen pas së cilës qëndronte vetë Murseli, i cili kishte inskenuar grabitjen dhe kishte paguar Granit Plavën për të kryer vrasjen e të shoqes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!