Vrasja e Lames e Saliut, dërgohen letër-porosi në Paris e Shkup

schedule19:37 - 25 Nëntor, 2021

schedule 19:37 - 25 Nëntor, 2021

Nga Ermal Vija

Dy letër-porosi të dërguara në Maqedoninë e Veriut dhe në Francë kanë detyruar prokurorinë e posaçme të zgjatë hetimet në lidhje me vrasjen e Vajdin Lames e Klodian Saliut ngjarje të ndodhura në vitin 2005.

Po kështu hetuesit janë në pritje të zbardhjes së plotë të disa transkripteve që lidhen me përgjimet në dosje të tjera të vjetra në Dibër, Tiranë, Vlorë e Lezhë. Për të gjitha këto prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të zgjasë hetimet edhe me 2 muaj e 15 ditë.

Ndërsa prokuroria e posaçme ka marrë nën hetim Lulzim Berishën, Emiljano Shullazin, Viktor Ymerin, Indrit Rusin dhe Indrit Taullain, me provë kryesore dëshminë e shtetasit Luftar Reçi, i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë në tetor të 2020-ës.

Të gjithë të hetuarit kanë mohuar përfshirjen e tyre në këto ngjarje, duke e konsideruar dëshminë e Reçit të pabesueshme dhe një dëshmi e cila është refuzuar më herët nga hetues të tjerë. Hetimet për këtë ngjarje ishin pezulluar prej të paktën 16 vitesh për mos gjetje të autorëve, por pas dëshmisë së Reçit, SPAK zbuloi autorët dhe lëshoi 7 urdhëra-arresti. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!