Vrasja e kryekomisarit Cuku, arrestohet në Greqi Bledar Jambelli

schedule13:27 - 31 Dhjetor, 2018

schedule 13:27 - 31 Dhjetor, 2018

Arrestohet në Athinë, Greqi, Bledar Jambelli, i dyshuar si porositësi i vrasjes së ish-shefit të Policisë së Vlorës, në 8 prill 2017 në Tiranë. Arrestimi i 38 vjeçarit Jambelli që mbante edhe emrin Rikardo Muho u mundësua nga bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës.

Gati 20 muaj pas ekzkekutimit të ish-shefit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, në hyrjen e pallatit të tij tek Rruga e Kosovarëve në Tiranë, arrestohet një nga personat e dyshuar si porositës i vrasjes.

Policia e Shtetit njoftoi prangosjen e Bledar Jambellit, një nga më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare. Ai është prangosur në Athinë, Greqi, falë një bashkëpunimi të Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës. Sipas policisë, 38 vjeçari Jambelli përdorte edhe emrin Rikardo Muho.

Jambelli dhe Kristaq Leci, i dyshuari si nërmjetës mes tij dhe ekzekutorit të komisarit të policicë, u shpallën në kërkim pas caktimit të një mase sigurie “arrest në burg” dhënë në mungesë për ta në qershor 2017 nga Gjykata për Krimet e Rënda.

Jambelli dhe Leci u identifikuan pas marrjes së dëshmisë së Mikel Shallarit, një 24 vjeccari nga Kuccova, personit që në 8 prill 2017 qëlloi drejt kryekomisarit Cuku.

Pas arrestimit ai pranoi autorësinë e vrasjes dhe pranoi të bashkëpunojë me prokurorinë duke nxjerrë edhe emrat e porositësve të krimit.  Sipas rrëfimit të Shallarit, Jambelli kishte dëshiruar vrasjen e Cukut pasi pretendonte se e kishte arrestuar me pa të drejtë si të dyshuar për një vrasje të ndodhur në Vlorë në vitin 2012. Në lidhje me këtë ngjarje Jambelli kishte fituar pafajësi nga gjykata.

Për vrasjen e Cukut 24 vjeçarit Shallari i ishin premtuar 20 mijë euro nga Bledar Jambelli, nga të cilat ka marrë më pak se 3 mijë euro.

Ndonëse ishte ekzekutor në vrasje, për shkak statusit të “bashkëpunëtorit të drejtësisë” Shallari u dënua me vetëm 10 vite burg. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!