Vrasja e Xhamal Kashogi ka detyruar mbretin e Arabisë Saudite të largojë ministrin e Jashtëm të vendit. Adel Al Xhubeir ishte njeriu që me insistim mohoi përgjegjësinë e Riadit në ekzekutimin e gazetarit, aq sa arriti të akuzonte për histeri mediat perëndimore në mbulimin e ngjarjes.
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al Xhubeir është degraduar nga detyra në kuadër të një riformatimi që mbreti Salman po i bën qeverisë. Xhubeir do të jetë ministër i Shtetit për punët e Jashtme, ndërsa vendin e tij do ta marrë Ibrahim al Asaf. Pavarësisht se flitet për një riformatim të ekzekutivit mbretëror, mediat ndërkombëtare shkruajnë se ulja në detyrë e Xhubeir është një përpjekje e monarkut për të përmirësuar imazhin e vendit pas vrasjes së Xhamal Kashogit.
Kashogi ishte një gazetar kritik i familjes mbretërore saudite. Artikujt e tij për “Washington Post” vinin në shënjestër kryesisht princin e kurorës Mohamed bin Salman, i cili është dhe lideri de fakto i vendit. Arabia Saudite fillimisht mohoi çdo përgjegjësi mbi zhdukjen e tij më 3 Tetor, por më pas u detyrua të pranonte përgjegjësinë. Vetë kryeprokurori saudit e cilësoi vrasjen e ndodhur në konsullatën saudite në Stamboll një krim të paramenduar, për të cilin Riadi akuzon agjentë rebelë të shërbimeve sekrete. Xhubeir ka qenë një përfaqësues i sertë i qëndrimit mohues të mbretërisë saudite, aq sa në një pikë akuzoi mediat perëndimore për histeri në mbulimin e rastit të Kashogit. Vrasja bëri që Shtetet e Bashkuara dhe Europa të paralajmëronin rishikimin e marrëdhënieve me Arabinë, por pas tërheqjes së Uashingtonit nga akuzat, ngjarja është lënë në harresë./abcnews.al