U vra në hyrje të shtëpisë! Familja e ish-kryekomisarit Cuku padi: Duam dëmshpërblim

schedule16:49 - 28 Shtator, 2020

schedule 16:49 - 28 Shtator, 2020

Kur kanë kaluar më shumë se tre vite nga ekzekutimi i tij në hyrje të shtëpisë pranë Liqenit Artificial, familjarët e ish-kryekomisarit Artan Cuku kanë dorëzuar një padi në gjykatën Administrative të Tiranës kundër ministrisë së Brendshme dhe policisë së shtetit duke u kërkuar dëmshpërblim monetar edhe moral.

Familja kërkon dëmshpërblim për dënimin që u ka ardhur si rezultat i humbjes së jetës së Cukut për shkak të detyrës së tij, si ish-drejtues i Policisë së Shtetit. Padia pritet që të shqyrtohet nga gjykata Administrative. Artan Cuku, “Dëshmor i Atdheut” u vra duke hyrë në shtëpinë e tij më 8 Prill 2017.

Por në cfarë faze janë hetimet për autorët e vrasjes së Cukut?

Deri tani i vetmi që është pas hekurave për vrasjen është ekzekutori Mikel Shallari, i dënuar me 10 vite burg, ndërkohë që bashkëpunëtori dhe mbi të gjitha porositësi ende nuk është vendosur përpara drejtësisë.

Drejtësia shqiptare ngriti akuzën si porositës kundër Bledar Jambellit, i cili u kap në Greqi, por më pas u la i lirë nga gjykata e vendit fqinj.

Bledar Jambelli, i njohur ndryshe me emrin Rikardo Muho, u arrestua në dhjetor të vitit 2018 në Greqi, pas vrasjes së kryekomisarit Artan Cukut. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe gjykata e i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë.

Por gjykata e Lartë greke e liroi Bledar Jambellin. Drejtësisë i ka shpëtuar edhe Kristaq Leci. Mikel Shallari mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe rrëfeu porositësin.

Në baze të hetimeve rezultoi se 38-vjeçari Jambelli e urdhëroi vrasjen e kryekomisarit për shkak se ai e kishte arrestuar në kohën kur mbante detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!