Vrasja e Ibrahim Bashës/Prokuroria kërkon 3 burgime të përjetshme

schedule13:06 - 21 Shkurt, 2018

schedule 13:06 - 21 Shkurt, 2018

Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi tre burgime të përjetshme dhe 118 vite burg në total për 11 lazaratasit e akuzuar për sulmin me armë ndaj policisë në Qershor 2015, ku mbeti i vrare efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha. Kërkesa e Prokurorisë solli tension në sallën e gjyqit.

Prania jo e zakontë e forcave të sigurisë në sallën e gjyqit paralajmëronte për një seancë të tensionuar.

E tillë rezultoi ajo e së martës tek Krimet e Renda ndaj 11 lazaratasve të akuzuar për sulmin me armë ndaj Policisë në Qershor të vitit 2015 në këtë fshat.

Mes kërcënimesh dhe mallkimesh nga disa prej familjarëve të të pandehurve në sallë, prokurorët paraqiten pretencën, ku i kërkuan gjykatës tre burgime të përjetshme dhe një total prej 118 vitesh burg për tetë të pandehurit e tjerë.

Sipas Prokurorisë, ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë pjesëtarë të grupit të zjarrit, që qëlloi drejt një furgoni të RENEA-s, ku u vra efektivi Ibrahim Basha, u plagosën dy kolegë të tij dhe u rrezikuan tre të tjerë.

“Të pandehurit kanë siguruar armatimin e nevojshëm për të kryer sulmin, kanë siguruar mjetet e tjera mbështetëse si makinat, veshjet, maskat, etj; si dhe kanë studiuar vendin, kohën dhe mënyrën për kryerjen e sulmit. Ata kanë provokuar policinë përmes të shtënave”, thuhej në pretencë.

Sipas prokurorëve, qëllimi i të pandehurve ishte rikthimi i gjendjes së mëparshme në Lazarat, për krijimin e mundësisë së kultivimit të kanabisit.
Referuar pretencës, burgim i përjetshëm u kërkua për të pandehurit Arbion Aliko, Bajram Bocia dhe Elvis Bocia. Për të pandehurit e tjerë u kërkuan dënime që varionin nga 10 në 17.5 vite burg. Tre prej tyre iu përgjysmua dënimi, për shkak se ishin të mitur në kohën e kryerjes së krimit.

Kërkesa e Prokurorisë u prit me buzëqeshje ironike nga të pandehurit, por jo nga familjarët e tyre.

Procesi ndaj 11 të akuzuarve si pjesë e një “grupi zjarri” në Lazarat nisi nga fillimi në Qershor 2017, pasi Gjykata prishi vendimin e mëparshëm për gjykim me kohë të shkurtuar./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!