Prokurorët holandezë njoftuan se kanë arrestuar një tjetër të dyshuar për vrasjen e gazetarit të njohur holandez Peter R. de Vries, duke e çuar numrin total të të dyshuarve në gjashtë.
“Policia dhe prokurorët besojnë se ai ishte pjesë e një organizate kriminale që kryente akte të dhunshme për pagesë”, thanë prokurorët në një deklaratë.
I dyshuari 27-vjeçar u arrestua në qytetin jugor të Helmondit dhe emri i tij nuk bëhet i ditur. Prokurorët thanë se përfshirja e tij në vrasjen e De Vries u konsiderua indirekte.
De Vries, i specializuar në çështjet penale, u qëllua dhe u vra korrikun e kaluar në një rrugë të populluar në Amsterdam, duke shkaktuar një valë pikëllimi dhe zemërimi në të gjithë vendin. Prokurorët e shtetit janë ende duke hetuar të tjerët të përfshirë në vrasjen e gazetarit dhe kush mund ta ketë urdhëruar atë. /abcnews.al