Për të zbardhur motivin e sherrit që çoi në vrasjen e Florian Lamçjas, policia e Elbasanit ka tentuar sërish të marrë në pyetje dy të arrestuarit Sokol Sanxhaktarin dhe Adriano Hajdarin.
Pyetja e tyre nga oficerë të krimeve të rënda u bë mbrëmjen e së enjtes.
Ashtu siç edhe kanë deklaruar që në krye të herës, Sanxhaktari dhe Hajdari kanë mohuar të mbanin mend se se kishte nisur debate mes tre miqve, të cilët prej disa orësh ndodheshin duke konsumuar alkool në një nga lokalet në qendër të qytetit.
Ata i thanë policisë se kanë qenë nën efektin e alkoolit në momentin që ka ndodhur sherri.
Kështu, policia nuk ka ende një motiv të qartë mbi arsyet se përse ka ndodhur debati, ndërsa hetuesit kanë dyshime se bëhet fjalë për një debat të hershëm mes tre miqve.
Florian Lamçja u qëllua me sende të forta e shishe në trup e në kokë, ndërsa pak orë më vonë ndërroi jetë në spital.
Pas ngjarjes uniformat blu prangosën me akuzën e vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim, Sokol Sanxhaktarin, 34 vjeç, dhëndri i ish kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdinit, si dhe 42 vjeçarin Adriano Hajdarin, i njohur me pseudonimin “Luço”.
Viktima, i njohur me nofkën “Qorri”, më herët është hetuar për dy plagosje të ndodhura në Elbasan, por në asnjë moment nuk u shpall fajtor.
Ai është proceduar vetëm me akuzën “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Florian Lamçja është vëllai i Olti Lamçjas, i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Almir Canit, ngjarje e vitit 2012.
Ndërsa Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish kryetarit të bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini është akuzuar se ka kryer një sërë veprash penale por gjithmonë i ka shpëtuar drejtësisë.
Ai njihet edhe si miku i afërt i Suel Çelës, ky i fundit i akuzuar si i përfshirë në ngjarjen e ndodhur mesnatën e 18 shtatorit të 2017-ës, kur një automjet i blinduar tip “Audi” A8, goditi makinën e patrullës së policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi./abcnews.al