Vrasja e Everest Çakës në Elbasan, zbardhet dëshmia e gruas: Autori u afrua dhe qëlloi disa herë

schedule10:48 - 12 Maj, 2021

schedule 10:48 - 12 Maj, 2021

Zbardhet dëshmia e bashkëshortes së Everest Çakës, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Elbasan. Burime për abcnews.al bëjnë me dije se Silvana Çaka ka thënë para grupit hetimor se autori iu afrua makinës së tyre dhe qëlloi disa herë ndaj bashkëshortit.

Ajo ka thënë se në fillim menduan se u përfshinë në aksident pasi një makinë i goditi më pas dhe sipas saj në këtë moment një burrë është afruar tek xhami dhe ka qëlluar disa herë Everestin. Bashkëshortja është shprehur se plumbat e kanë kapur 41-vjeçarin në krahë, qafë dhe gjoks.

“Sapo dolëm nga shtëpia e prindërve të mi, jetojnë me qira në lagjen Skënderbej dhe sapo makina jonë nisi lëvizjen një mjet na godet nga pas, kujtuam se ishte aksident. Pashë një burrë që u afrua tek xhami dhe mbante ne duar një armë me të cilën në afërsi të xhamit të parë ku ishte Everesti qëlloi disa herë,” ka deklaruar Silvana.

Silvana ka thënë se doli menjëherë nga makina për të kërkuar ndihmë te banorët që ndodheshin aty.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth 20:10 në lagjen “Skënderbej” të qytetit të Elbasanit. Everest Çakës iu bë pritë teksa po dilnin nga shtëpia e prindërve të bashkëshortes duke u qëlluar disa herë me pistoletë me silencitaor.

Lexo edhe: Dinamika e ekzekutimit në Elbasan, gruaja kërkoi ndihmë, dëshmitë, pistat dhe e shkuara e viktimës

Goditjet ishin fatale për 41-vjeçarin që njihej me dy emra (Everest dhe Ibrahim Çaka) duke ndërruar jetë në vend, ndërsa bashkëshortja e tij, Silvana ka marrë një plagë në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pak më vonë një makinë tip “Benz” u gjet duke u djegur në Golem, e cila dyshohet të jetë e autorëve. Brenda saj është gjetur një pistoletë. g.v/abcnews.al