Vrasja e Entjan Nikulajt në Lezhë/ U prek nga 7 plumba, dyshohet për vrasës me pagesë. E monitoruan për dy ditë me radhë

schedule11:41 - 4 Dhjetor, 2023

schedule 11:41 - 4 Dhjetor, 2023

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e Entjan Nikulaj mbrëmjen e së shtunës në hyrje të qytetit të Lezhës. Gazetari i ABC News Gjergj Figuri raporton se, sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 40 vjeçari u prek nga 7 plumba, dy prej të cilëve në organet jetësore, duke i shkaktuar edhe vdekjen.

Policia po përqendrohet tek monitorimi i kamerave të sigurisë. Gazetari thotë se kamerat e kanë fiksuar automjetin me të cilin lëvizën tre autorët në zonën e Lezhës gjatë dy ditëve të fundit, detaj që tregon se autorët kanë ndjekur viktimën si dhe kanë studiuar mirë vendin ku do të kryenin ekzekutimin e tij.

“Në fakt është ende shumë shpejt për të përcaktuar pasi duhen parë kamerat e sigurisë por të paktën është provuar se dy ditëve të fundit ka pasur lëvizje të mjetit, që duket se ka ndjekur jo vetëm viktimën por ka parë edhe terrenin se ku do të ekzekutonte viktimën. U zgjodh hyrja e qytetit si ambient pa njerëz dhe pa kamera.“, raportoi gazetari.

Policia ka dyshime se autorët janë vrasës me pagesë duke iu referuar mënyrës së veprimit, largimit dhe ndjekjes që i kanë bërë 40 vjeçarit gjatë dy ditëve të fundit. Gazetari theksoi gjithashtu se ka dyshime që ata mund të kenë pasur edhe bashkëpunëtorë, të cilët kanë treguar lëvizjet e 40 vjeçarit.

Sakaq, kujtojmë që deri më tani janë shoqëruar në polici mbi 10 persona, mes të cilëve edhe anëtarë të fisit Lekstakaj, me të cilët Nikulajt janë në hasmëri. Vrasja e 40 vjeçarit, i cili është edhe djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, vjen pas ekzekutimit të këtij të fundit në ambientet e lokalit të tij në Shëngjin në Prill./abcnews.al