Gjykata e Korçës ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për shtetasit Leonidha Guçe dhe Denis Meçe, të përfshirë në vrasjen e Egli Progos të ndodhur më 10 gusht 2024 ne Pogradec.
Për të dy të hetuarit ka përfunduar afati ligjor i paraburgimit, çka ka çuar në vlerësimin e masēs sē sigurisë ekzistuese dhe caktimin e masës së re të sigurisë, “Arrest në shtëpi”, deri në përfundimin e hetimeve.
Prokuroria e Korçës po vijon hetimet për vrasjen e Egli Progës dhe është ende në pritje të zbardhjes së plotë të pamjeve të kamerave të sigurisë të sekuestruara në lokalin “Stropcka”, vendi ku ndodhi ngjarja. Pamjet e fshira janë dërguar jashtë Shqipërisë për ekspertizë të specializuar dhe për rikuperim të tyre.
Vonesat në dokumentimin e ngjarjes duket se kanë ndikuar në kërkesën e mbrojtjes së të pandehurve për ndryshimin e masës së sigurisë, kërkesë që është pranuar nga Gjykata e Korçës. Tani, Guçe dhe Meçe do të vijojnë të hetohen në masën e arrestit në shtëpi, ndërsa ndaj tyre rëndon akuza e moskallëzimit të krimit dhe kryerjen e veprimeve qe pengojne zbulimin e së vërtetës./abcnews.al

