Pak ditë pas vrasjes së Eduart Reçit më 13 Nëntor, policia e Tiranës zbardhi ngjarjen dhe vuri në pranga dy vëllezërit Shkëlqim Dukën, 48 vjeç, oficer policie ( i dyshuar si qitësi) dhe Florjan Dukën, 45 vjeç.
Reçi po ecte në sheshpushimin e pallatit që kishte ndërtuar vetë, në rrugën “Faik Konica”, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë, kur u qëllua nga një armë që nuk ishte e tipit të zakonshëm.
Grupi hetimor nisi punën për zbardhjen e ngjarjes, duke verifikuar fillimisht të shkuarën e viktimës, që nuk rezultonte me ndonjë të kaluar kriminale. Policia zbuloi problematikën që biznesmeni Reçi kishte pasur për ndërtimin e një pallati, më konkretisht me vëllezërit Florjan dhe Shkëlqim Dukaj.
Emisioni “Gjërat tona” sjell dëshminë e zëvendës drejtorit të Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, i cili zbulon detajet që bënë që hetimet të drejtoheshin drejt dy vëllezërve.
“Duke u nisur edhe nga pozicioni i qitësit, që ishte vendosur në shkallët metalike të një objekti që ishte ngjitur me territorin e pronës së vëllezërve Dukaj, por ngjitur edhe me territorin e pronës së viktimës, duke analizuar të gjitha pamjet filmike përreth vendit të ngjarjes, përreth vendit ku ishte viktima, Eduart Reçi dhe u ekzekutua, na rezulton që nuk kemi asnjë hyrje dhe asnjë dalje për rreth 7 ditë që autori i dyshuar ishte pozicionuar për të ekzekutuar viktimën. Na rezulton që nuk kemi asnjë hyrje dhe asnjë dalje të tij në këtë territor. Dhe për këtë arsye ne u fokusuam se cili ishte vendi më i përshtatshëm për autorin, për t’u pozicionuar, në mënyrë që t’u shmangej pamjeve filmike në hyrje dhe në dalje. Por nga shqyrtimi i pamjeve filmike, kemi parë që një ditë para vendosjes së qitësit në shkallët metalike, i cili vendosej rreth orëve të muzgut të natës dhe qëndronte aty deri rreth orës 23:30, një ditë më përpara kemi parë njërin nga vëllezërit Dukaj, i cili verifikonte të gjitha kamerat, në vendin që ishte pozicionuar qitësi, rreth e rrotull. Shikonte drejtimet dhe pamjet vizuale të tyre. Kjo na bëri të dyshojmë dhe të vazhdojmë më tej, sepse kemi të bëjmë me pronën e vëllezërve Dukaj. Këtu ka filluar zanafilla që ne kemi krijuar një bindje që jemi në këtë drejtim dhe më pas kemi vazhduar me veprime të tjera hetimore, që janë pjesë e hetimit, derisa shkuam në ditën e ndalimit të autorëve të dyshuar.”, ka deklaruar Ismaili./abcnews.al