Policia e Vlorës ka arrestuar autorët e vrasjes së dyfishtë në janar të këtij viti, ku nënë e bir u vranë dhe u dogjën brenda në shtëpinë e tyre. Një nga autorët e dyshuar është gruaja e viktimës Hysnie Hoxhallari, kurse autori dytë i dyshuar është një shoku i saj Kasëm Pirjasi, 26 vjeç nga Fieri.
Vetëm pak ditë pas krimit, Hysnie Hoxhallari kërkoi ndihmë për kapjen e autorëve që i vranë burrin dhe vjehrrën. Ajo është nënë e një djali të vogël. Këtë të enjte u arrestua bashkë me një mikun e saj.
Të dy, Hysnie Hoxhallari 32 vjeçe dhe Kasëm Pirjasi 26 vjeç nga Fieri akuzohen për vrasjen e Olsi Hoxhallarit dhe nënës së tij Selkije Hoxhallari.
“Të dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar e më pas kanë vrarë shtetasit Olsi Hoxhallari dhe Selkie Hoxhallari, si dhe kanë shkaktuar zjarr në banesë me qëllim fshehjen e provave duke synuar për ta devijuar ngjarjen si “aksidentale”. Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar arma e ftohtë me të cilën dyshohet se është kryer krimi (mjet prerës i fortë prej metali)”- deklaroi Drejtori i Policisë në Vlorë Gentian Shehaj.
Në 21 Janar Olsi dhe Selkie Hoxhallari u gjetën të djegur në banesën e tyre në lagjen “24 maji”. Fillimisht u mendua se zjarri ishte aksident. Hysnija kishte njoftuar e para policinë. Ajo dha versionin e saj, që nënë e bir i kishte lënë duke pare televizor dhe vetë shkoi të flinte bashkë me fëmijën.
Natën sipas saj, ishte ngritur rastësisht dhe pa zjarrin në kuzhinë, kurse burrin e saj me nënën e tij të djegur. Dëshmia e gruas nuk i bindi hetuesit të cilët nisën vëzhgimin me metodat speciale. Policia zbuloi se të dy autoret fillimisht kishin qëlluar me një tip sëpatë Olsi Hoxhallarin. Më pas mbytën të moshuarën. Dhe për të fshehur gjurmët i vunë flakën ambjentit.
Nga hetimet doli se autorët kishin lidhje me njëri-tjetrin, lidhje që mund të jetë zbuluar nga bashkëshorti i 32 vjeçares. Supozohet ky është edhe shkaku i krimit. /abcnews.al