Vrasja e dyfishtë në Laç, policia: I arrestuari i sotëm autor kryesor, mjekët s’lajmëruan policinë

schedule09:46 - 23 Qershor, 2020

schedule 09:46 - 23 Qershor, 2020

Policia ka dhënë detajet për arrestimin e Eduart Lamajt i dyshuar kryesor për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergji, ngjarje e ndodhur në datë 30 Maj në një hotel në Kurbin.

Sipas policisë ai po mjekohej në një klinikë private në qytetin Studenti në Tiranë, pas plagës që kishte marrë në këmbë nga shkëmbimi i zjarrit mes palëve.

Gjithashtu janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim tre bashkëpunëtorë të Lamajt.

Ndërsa dy mjekët e spitalit privat V. M., 42 vjeç dhe B. L, 46 vjeç  janë ndaluar për shkak se nuk kallëzuar në polici.

Njoftimi i plote

Finalizohet operacioni policor i koduar “Klinika”. Operacioni nga DVP Lezhë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Zbardhet vrasja e dyfishtë e ndodhur në Kurbin, në orët e mbrëmjes së datës 30.05.2020.

Kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i vrasjes së dyfishtë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim dhe tre bashkëpunëtorët në vrasje.

Gjithashtu, gjatë operacionit janë vënë në pranga edhe dy mjekë që mjekonin ilegalisht autorin e vrasjes në një klinikë private në Tiranë.

Në vijim të punës profesionale dhe hetimore të bërë nga grupi i posaçëm hetimor, i ngritur me specialistë nga Drejtoria për Krimet Kundër Personit në Departamentin e Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, bazuar në informacionet e marra, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Klinika”.

Në kuadër të operacionit u kap në një klinikë private në Tiranë, shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Laç, i cili gjatë kryerjes së krimit ku mbetën të vrarë shtetasit B. H.,37 vjeç dhe P. Gj.,53 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K. T., 21 vjeç, pati shkëmbim zjarri dhe për pasojë u plagos në këmbë edhe ky shtetas, i cili po mjekohej ilegalisht në një klinikë private në Tiranë.

Po gjatë operacionit u vunë në pranga dy shtetas, mjekë në klinikën në të cilën mjekohej autori i vrasjes, konkretisht shtetasit V. M., 42 vjeç dhe B. L, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për kapjen dhe prangosjen e tre bashkëpunëtorëve të shpallur në kërkim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!