Kur kanë kaluar 6 vite nga ngjarja e rëndë që tronditi Roterdamin ku në një apartament u vranë Florenc dhe Glevis Tola dy vëllezër nga Elbasani, autoritetet atje kanë rihapur sërish çështjen.
Prokurori i Roterdamit ka thirrur të pandehur Serxhio Pikun, i cili mbrëmjen e 15 Janarit ndodhej bashkë me vëllezërit Tola dhe mbeti i plagosur. Ishte ai që njoftoi policinë e cila në momentin e mbërritjes në vendngjarje gjeti pa shenja jete dy vëllezërit.
Me vendim të autoriteteve në Roterdam, Piku duhet të paraqitet në gjykatë me datë 15 qershor. Florenc dhe Glevis Tola u vranë në Janar të vitit 2015 në Roterdam të Holandës. Dy vëllezërit jetonin prej vitesh në Holandë në zonën e njohur si “lagjja e bullgarëve”, ndërsa vinin shpesh në Shqipëri.
Për vrasjen e dy vëllezërve u akuzua fillimisht Herald R. por gjykata holandeze rrëzoi akuzën e ngritur ndaj tij për vrasjen e dyfishtë për mungesë provash.
Konflikti i 6 viteve më parë nisi pasi 27 vjeçari Herald R. dhe Enton Janushi kishin shkuar për t’i blerë rreth 6 kg kokainë dy vëllezërve Tola dhe Serxhio Pikut. Herald R. tha para gjykatës që ai ka qenë duke numëruar paratë kur në kuzhinë ka plasur një sherr midis Entonit dhe Florencit. /mv.abcnews.al